COVID-19/ Shkon në 29 numri i viktimave në vend, Ministria e Shëndetësisë: Ndërron jetë pacienti në spitalin “Shefqet Ndroqi”

27/04/2020 21:31

TIRANE – Një tjetër person ka humbur jetën nga Covid-19 në Shqipëri. Sipas ministrisë së Shëndetësisë viktima është një pacient 73-vjeçar i cili ishte i intubuar prej 24 ditësh, ndërsa sot ka ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Pacienti 73-vjeçar me inicialet H.K., nga Durrësi ishte prej thuajse 1 muaji në gjendje të rëndë, me Insuficience respiratore akute. Ministria sqaron se viktima vuante nga pneumonia bilaterale, detres i rëndë respirator (ARDS), me sëmundje bashkëshoqëruese Talasemi Minor dhe  Hipertension Arterial. Megjithë përpjekjet e stafit mjekësor në terapinë intensive, 73-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.

Numri total i personave që kanë humbur jetën në Shqipëri për shkak të Covid-19, tashmë ka shkuar në 29.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë konfirmuar 10 persona të infektuar me Covid-19. Kështu numri total i të infektuarve ne vend ka shkuar në 736 .

Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 422 ose 57.3 % e totalit të të prekurve

Aktualisht në vendin tonë, 286 ose 42.7 % e totalit të të prekurve janë persona aktivë me COVID19 dhe siç shihet përqindja e të shëruarve është më e lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon të jetë e qëndrueshme.

Top Channel