Mjekët e shërbimit kombëtar shëndetësor në Britani, kanë lëshuar një alarm për një rritje të ndjeshme të numrit të fëmijëve që shtrohen në kujdes intensiv me një sindromë serioze inflamatore që mund të jetë e lidhur me koronavirusin.
Në një mesazh, shefat e shëndetësisë në Londër thanë: ka shqetësim në rritje se një sindromë inflamatore e lidhur me Covid 19 po shfaqet tek fëmijët në Britani. Gjatë tre javëve të shkuara ka patur një rritje të ndjeshme të numrit të fëmijëve të të gjitha moshave që prezantonin gjendje inflamatore multi-sistemëshe që kërkon kujdes intensiv, në Londër por edhe në rajone të tjera të mbretërisë së bashkuar.
Fëmijët nuk mendohet se preken shumë nga covid 10. Shumë pak të rinj kanë humbur jetën në të gjithë botën që kur pandemia filloi në dhjetor. Rezistenca e tyre e dukshme ndaj sëmundjes, i ka intriguar mjekët prej javësh sepse fëmijët, shpesh janë supër shpërndarës së sëmundjeve virale, si gripi. Fëmijët e konstatuar me këtë sindromë të fundit, shpesh kanë dhimbje stomaku, inflamacion kardiak dhe simptoma gastrointestinale që mund të përfshijnë të vjellat dhe diarrenë. Mjekët e kanë krahasuar komplikacionin misterioz me sindromën e shokut toksik dhe sëmundjen kavasaku, që të kombinuara mund të shkaktojnë acarime të brendshme, temperaturë dhe probleme me frymëmarrjen, të gjitha shenja të covid 19.
Por, disa fëmijë në kujdes intensiv kanë rezultuar negativë për koronavirus duke komplikuar më shumë diagnostikimin dhe duke ngritur pikëpyetje nëse një tjetër patogjen qëndron pas sëmundjes. Zyrtarët nuk kanë ende një panoramë të qartë mbi simptomat, pavarësisht kërkesave të pediatërve që të kenë një panoramë më të qartë në mënyrë që të qëndrojnë vigjilentë. Dhe e gjithë kjo vjen ndërsa Britania e Madhe po mendon të rihapë shkollat në qershor, në kuadër të planeve për zbutjen graduale të kufizimeve.
Top Channel