Gjatë muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë nuk hanë dhe nuk pinë nga lindja e Diellit deri në perëndim të tij.

Familjet dhe miqtë shpesh mblidhen bashkë për të prishur agjërimin.

Shumë prej 1.8 miliard myslimanëve të botës i frekuentojnë edhe xhamitë më shpesh.

Por, kriza me koronavirus këtë vit ka ndryshuar gjithçka.

Sëmundja, që ka infektuar mbi 2.8 milionë njerëz dhe ka vrarë mbi 200,000 deri më 25 prill, ka rritur frikën se agjërimi mund të paraqesë rrezik shëndetësor, duke dobësuar imunitetin e njerëzve dhe duke i bërë ata më të cenueshëm ndaj marrjes së virusit.

Mbledhjet e shpeshta të familjarëve dhe miqve gjatë Ramazanit kanë ngjallur po ashtu shqetësime për më shumë të infektuar.

Atëherë, a është agjërimi i këshillueshëm gjatë pandemisë?

“Nëse jeni të shëndetshëm dhe keni agjëruar më parë pa ndonjë problem, nuk ka asnjë provë që sugjeron se nuk mund të agjëroni edhe këtë herë, nëse dëshironi”, thotë për Radion Evropa e Lirë dr Salman Waqar, nga Universiteti i Oksfordit.

Waqar është anëtar i Shoqatës Mjekësore Islamike në Britaninë e Madhe, e cila ka publikuar udhëzime për agjërim gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Në shumicën e rasteve, njerëzit që janë me shëndet të mirë dhe kanë agjëruar më herët, duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë edhe gjatë pandemisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë dr Shafi Malik, nefrolog transplantimi në Spitalet Universitare Coventry & Warwickshire, në Britani.

Sipas tij, ata që kanë sëmundje kronike, duhet të konsultohen me mjekun dhe ta ndërpresin agjërimin, nëse këshillohen ta bëjnë një gjë të tillë.

Sipas Kuranit, fëmijët, të moshuarit, të sëmurët dhe ata që udhëtojnë, janë të përjashtuar nga agjërimi i Ramazanit – njërës prej pesë shtyllave të Islamit.

Agjërimi ka për qëllim t’i afrojë besimtarët me Zotin dhe t’ua rikujtojë atyre vuajtjet e njerëzve më me pak fat.

Agjërimi, besimi, bamirësia, lutja dhe Haxhi përbëjnë bazën e mënyrës se si myslimanët praktikues e jetojnë jetën e tyre.

A mund ta dobësojë agjërimi imunitetin dhe aftësinë për të luftuar koronavirusin?

Fjala Ramazan vjen nga arabishtja “Al-Ramad” dhe nënkupton nxehtësinë e madhe dhe thatësinë që e pason. Është simbolikë e vështirësve që përjetojnë ata që agjërojnë dhe e djegies së mëkateve.

Shumë pyeten nëse agjërimi e dëmton imunitetin e një personi dhe e bën atë më të ndjeshëm ndaj koronavirusit.

“Nuk ka prova të mjaftueshme për të sugjeruar se agjërimi e dobëson imunitetin e njerëzve”, thotë Malik.

Waqar thotë se çështja kryesore që kërkon kujdes gjatë agjërimit në këtë kohë të pandemisë, është dehidrimi.

Ai thotë se personat që kanë ethe ose sëmundje të vazhdueshme “duhet të ndërpresin agjërimin dhe të kërkojnë kujdes të shpejtë mjekësor”, sepse njerëzit me koronavirus “mund të sëmuren shpejt dhe hidratimi i duhur këtu është me rëndësi jetike”.

Disa studiues islamë pretendojnë se agjërimi, në fakt, e forcon imunitetin. A është e vërtetë kjo?

Universiteti Al-Azhar i Egjiptit, i cili konsiderohet autoritet i lartë teologjik nga myslimanët sunitë, ka lëshuar një deklaratë më 18 prill, duke i rikujtuar myslimanët se duhet të agjërojnë, pa përjashtime të veçanta për shkak të pandemisë.

“Mosagjërimi gjatë Ramazanit, për shkak të koronavirusit, nuk është i lejueshëm. Agjërimi është detyrë dhe domosdoshmëri për myslimanët”, tha Al-Azhar.

Edhe udhëheqësit fetarë shiitë lëshuan deklarata të ngjashme.

Ajatollah Bashir Husseinal-Najafi, klerik i lartë shiit në Irak, lëshoi një ‘fatwa’ (vendim) më 15 prill, duke thënë se agjërimi e forcon sistemin imunitar dhe mund t’i parandalojë myslimanët nga kontraktimi i koronavirusit.

Por, Malik thotë se “nuk ka prova përfundimtare që sugjerojnë se agjërimi e forcon imunitetin”.

Waqar thotë se hulumtimet mjekësore mbi Ramazanin janë në zhvillim dhe bazohen më shumë në vëzhgime sesa në prova. Kjo, sipas tij, e bën të vështirë të përcaktohet nëse agjërimi e përmirëson ose dobëson imunitetin.

“E dimë se, për shembull, te disa njerëz, pesha dhe presioni i gjakut mund të përmirësohen në Ramazan, por ato shpesh kthehen menjëherë pas”, thotë Waqar.

“Vlen gjithashtu të përmendet se agjërimi jashtë Ramazanit është bërë gjithashtu popullor, si një zgjedhje për dietë”, shton ai.

A mund ta rrisin traditat e Ramazanit mundësinë e kontraktimit të koronavirusit?

Për shumë njerëz, Ramazani përfshin darkat e përbashkëta. Gjithashtu nënkupton frekuentimin më të shpeshtë të xhamive.

Koronavirusi transmetohet nga kontakti i ngushtë midis njerëzve. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ai përhapet përmes stërpikave të pështymës dhe kontaktit me sipërfaqe të kontaminuara.

Për të frenuar përhapjen e koronavirusit, shumë vende kanë ndërmarrë masa të rrepta të distancimit fizik. Shumë vende me shumicë myslimane dhe ato me komunitete të konsiderueshme myslimane që kanë frikë nga rritja e numrit të të infektuarve, i kanë kufizuar shërbimet fetare të Ramazanit dhe festat e komuniteteve.

“Gjatë Ramazanit, tradicionalisht njerëzit shoqërohen shumë me njëri-tjetrin, por këtë vit duhet të jetë ndryshe”, thotë Waqar.

“Distanca sociale është thelbësore në këtë pandemi. Nëse dikush nuk i ndjek këshillat e qeverisë për distancimin shoqëror, ai kontribuon në shtimin e mëtejshëm të rasteve me koronavirus”, thotë ai.

Shumë qeveri kanë bërë përpjekje për t’ua dhënë këtë mesazh familjeve myslimane. Ndërsa, organizata të ndryshme myslimane kanë nisur fushata vetëdijesimi në mediat sociale me hashtag-un #RamadanAtHome (#RamazaniNëShtëpi).

Malik thotë se masat e distancimit fizik janë thelbësore në kufizimin dhe frenimin e përhapjes së koronavirusit.

“Njerëzit që agjërojnë gjatë Ramazanit, duhet t’i respektojnë rregullat lokale dhe t’i ndjekin udhëzimet për distancimin shoqëror”, thotë ai.

Çfarë masash mund të marrin myslimanët gjatë Ramazanit?

“Njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi”, thotë Waqar.

Sipas tij, njerëzit që agjërojnë, duhet të ndërmarrin masa të zakonshme paraprake: gjatë orëve që nuk agjërojnë, të hidratohen mirë, të hanë ushqime të balnacuara dhe të shëndetshme dhe të kërkojnë ndihmë nga mjeku nëse sëmuren, qoftë edhe për çështje që nuk kanë lidhje me koronavirusin.

“Ramazani ka treguar se e përmirëson shëndetin mendor të disa individëve. Megjithatë, në kohën e pandemisë kjo mund të jetë ndryshe, por njerëzit duhet të përpiqen dhe të përjetojnë frymën e Ramazanit në mënyra të tjera, si për shembull me iftare virtuale”, thotë Waqar.

“Ata që janë asimptomatikë dhe të shëndetshëm, duhet të jenë në gjendje të agjërojnë si në vitet e kaluara”, thotë Malik.

“Ata që nuk ndjehen mirë ose kanë simptoma të koronavirusit, kanë rrezik të lartë nga mungesa e konsumit të lëngjeve dhe dehidrimi i mëvonshëm dhe duhet të marrin parasysh prishjen e agjërimit dhe të kërkojnë ndihmë nga mjeku”, thotë Malik./REL/

Top Channel