“Policia më thotë që nuk merremi me fëmijë”/ Mjekja nga Kukësi denoncon në “Shqipëria Live”

23/04/2020 16:06

Në emisionin “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Flori Gjini dhe Erjona Rusi, ishte e ftuar me anë të një lidhjeje në “Skype”, Florina Gusturani.

Florina është mjeke në qytetin e Kukësit dhe në studio denoncoi një fenomen që po ndodh në qytetin e saj. Florina thotë se pranë pallatit ku banon, ka shumë fëmijë që qëndrojnë shumë pranë njëri-tjetrit, të cilët grinden dhe përdorin fjalor banal.

“Kam tre ditë që telefonoj policinë për të denoncuar dhe më thonë që ne nuk merremi me fëmijë”, thotë Florina. Veç faktit që fëmijët janë një burim infeksioni të COVID-19, Florinën e shqetëson fakti se çfarë rruge mund të ndjekin këto fëmijë.

“Ju drejtova policisë me ditë të tëra. Duke pasur parasysh që jemi në një shtet që funksionon ligji, por shteti nuk përgjigjet për asnjë çast. Unë kam tre ditë që kam lajmëruar policinë, por askush nuk është paraqitur. Në momentin që erdhën unë isha prezente aty dhe policia tha ne nuk merremi me fëmijët. Është e pamundur të qëndrosh në dritare, sepse dëgjon një fjalor banal. Për mua si nënë, si mjeke, janë të dyja shqetësimet. Është një plagë për shoqërinë që një fëmijë të qëndrojë të gjithë ditën pa kontrollin e prindërve. Ka dhe mosha madhore që i drejtohen fëmijëve dhe nuk e di a i ofrojnë duhan, alkool, mbase edhe drogë”, u shpreh Florina.

Top Channel