Në pjesën e tretë të Open në Top Channel po diskutohet për amnistinë fiskale e cila prodhoi shumë debate mes të ftuarve. Biznesmeni Nikollaq Neranxi tha se kjo amnisti do të sjellë pastrimin e parave të krimit në Shqipëri.

“Unë jam kundër kësaj amnistie për dy arsye. E para është se kjo sjell pastrimin e parave të krimit të organizuar. Pra shpërndarësit e drogës do hapin biznese duke na goditur neve, bizneseve të ndershëm. Arsyeja e dytë është te taksa. Ata do të paguajnë 3%, pastaj 5 dhe 7% , ndrësa ne paguajme 15%. Kjo do të sjellë shkatërrimin e biznesit të ndershëm. Kjo qeveri nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka pastruar paratë e krimit.”- tha Neranxi në Open.

Edhe profesori i Ekonomisë Selami Xhepa u shpreh kundër amnistisë duke thënë se kjo kohë krize nuk është e përshtatshme për të bërë këtë amnisti.

Kundër tyre ishte, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka duke thënë se ekonomia shqiptare ka nevojë për ata para. “Jam pro amnistisë sepse ekonomia shqiptare ka nevojë për ata para që sjell amnistia”- tha Jaka.

Top Channel