Kampionati austriak drejt rinisjes, ekipet në stërvitje

22/04/2020 11:21

Kampionati austriak i futbollit pritet të jetë ndër të parët që rikthehet të luhet pas pauzës së shkaktuar nga pandemia coronavirus.

Ishte vetë presidenti i Ligës Austriake të futbollit, Christian Ebenbauer që deklaroi se sezoni mund të rinisë në mes të muajit maj për t’u mbyllur në fund të qershorit pa përjashtuar as mundësinë që ndeshjet të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Skuadrat e Bundesligës Austriake do të jenë në gjendje që të kthehen në stërvitje, një hap që e ka ndërmarrë tashmë Rapidi i Vjenës i kthyer në qendrën stërvitore pas periudhës së ndërprerjes së kampionatit. Gjatë kësaj jave, Austria ishte një prej vendeve që lehtësoi masat e kufizimit për shkak të Covid-19, teksa kjo sëmundje ka shënuar një rënie të ndjeshme në statistika në këtë vend.

Në sezonin aktual të Bundesligës Austriake, kanë mbetur edhe 10 javë për t’u zhvilluar dhe lufta për titullin kampion është mes LASK Linz e Salzburgut me LASK që kryeson me 3 pikë më shumë se skuadra e Salzburgut, fituese e kampionatit austriak në 6 sezonet e fundit.

Top Channel