Rrëfimi i Lukakut: Te Interi 23 futbollistë, kishim simptomat e Covid-19!

21/04/2020 19:20

Romelu Lukaku zbulon një lajm tronditës që lidhet me skuadrën e Interit. Te zikaltërit aktualisht asnjë futbollist nuk ka rezultuar pozitiv me koronavirus, por sipas asaj që ka treguar Lukaku, futbollistët mund ta kenë kaluar më herët pa e kuptuar këtë virus vdekjeprurës.

“E patëm një javë pushim në dhjetor dhe betohem se pasi iu kthyem punës, 23 prej 25 lojtarëve ishin të sëmurë. Nuk bëj shaka. Ne luajtëm kundër Cagliarit  të Nainggolanit  dhe pas 25 minutave lojë, njëri prej mbrojtësve tanë iu desh të largohej nga fusha. Ai nuk mundi të vazhdonte sepse për pak sa nuk i ra të fikët”, zbuloi Lukaku gjatë një bisedë drejtpërdrejt në Instagram.

Lukaku iu referua Milan Skriniar-it, i cili e braktisi fushën pas vetëm 17 minutave lojë në atë ndeshje të zhvilluar më 26 janar. Njoftimi zyrtar i Interit atë kohë ishte se qendërmbrojtësi ndihej i trullosur sepse nuk ishte riaftësuar plotësisht nga gripi. Rasti i parë zyrtar me koronavirus në Itali ndodhi më 21 shkurt, prandaj lojtarët e Interit nuk ishin testuar.

“Të gjithë po kolliteshin dhe kishin temperaturë. Kur ngrohesha ndieja shumë më shumë të nxehtë se zakonisht. Kisha vite që nuk kisha temperaturë”, shtoi ai.

Top Channel