Italia do të njoftojë planin e saj për të dalë gradualisht nga izolimi deri në fund të kësaj jave – tha kryeministri i vendit, Giuseppe Conte.
Në një postim në facebook, Konte tha se vendi nuk do të heqë dorë nga politika e kujdesit maksimal dhe tha se Italia do të rihapet në një linjë me politikat serioze shkencore. “Një pritshmëri e arsyeshme është se ne do të fillojmë hapjen nga 4 maji”, tha ai.
Konte shkroi në facebook mëngjesin e të martës se qeveria po punonte pa pushim për të koordinuar hapat drejt fazës numër dy të izolimit, bashkëjetesën me virusin. “Do të doja shumë të thoja, le të hapim, gjithçka, tani”, shkruante ai. “Por një vendim i tillë do të ishte i papërgjegjshëm. Do ta bënte kurbën e infektimeve të rritej në mënyrë të pakontrolluar dhe do të zhbënte të gjitha përpjekjet e bëra deri më tani. Zbutja e masave do të ndodhë në bazën e një plani të mirëmenduar dhe të qartë”, tha ai duke shtuar se Italia nuk mund të heqë dorë nga linja e kujdesit maksimal.
Masat aktuale të karantinës kombëtare skadojnë më 3 maj, tha konte dhe ai do të publikojë planin vijues, para fundit të kësaj jave. Italia ka raportuar 24114 viktima, numri më i lartë i viktimave në Evropë. Të dhënat e publikuara të hënën treguan se numri i personave zyrtarisht të konfirmuar si të prekur nga virusi ka rënë për të parën herë që kur epidemia filloi.
Autoritetet thanë se rënia simbolike prej 20 rastesh, është një zhvillim pozitiv. Ekonomia e tretë më e madhe në eurozonë është në izolim që nga 9 marsi. Vende të tjera të Evropës po fillojnë ngadalë zbutjen e kufizimeve mbi biznesin dhe arsimin. Sidoqoftë, nuk ka një koordinim mes shteteve. Disa vende si Danimarka, kanë rihapur shkollat fillore, ndërsa qeveria e Spanjës po diskuton për të zbutur kufizimet e ashpra dhe për të lejuar fëmijët të dalin jashtë.
Top Channel