Basha akuza të forta qeverisë nga Open: Pse janë sekret tenderat për blerjen e pajisjeve të testimit

21/04/2020 22:15

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli në Open në Top Channel duke thënë se qeveria po kryen vjedhje edhe në kohën e pandemisë. Sipas Bashës qeveria vazhdon të mbajë të fshehta tenderat për blerjen e testeve.

Basha: Ne duhet të shohim faktet dhe faktet janë që pajisjet e testimit që kanë blerë tani janë me katërfish çmimin. Këtu qartësisht është keqpërdorur pushteti. Është një rast i pastër i abuzimit me pushtetin. Ligji ia njeh këtë të drejtë qeverisë për të tjera kategori prokurimesh.

Pyetje: Zoti Basha i dispononi këto kontrata? Do t’i bëni publike këto kontrata si dokumente?

Lulzim Basha: Janë bërë publike faktet. Ato që kemi pasur i kemi bërë publike dhe natyrisht është detyrë edhe e medias të shkojë edhe më tej për të kërkuar transparencë. Megjithatë ajo që duhet t’u themi sot qytetarëve që na ndjekin, është që pyetja “pse i keni klasifikuar sekret këto tendera”, ka mbetur pa përgjigje. Pyetja se “pse i ke blerë katërfish nga çmimi i zhdoganimit”, ka mbetur pa përgjigje. Pyetja “pse i ke blerë dy apo trefish pajisjet mbrojtëse për mjekët”, ka mbetur pa përgjigje.

Pyetje: Rama është përgjigjur, qeveria ka thënë që nuk është e vërtetë. Ka folur ministria e Shëndetësisë me një deklaratë dhe Rama në një prononcim dhe kanë thënë që asgjë nga këto nuk është e vërtetë?

Lulzim Basha: Edhe njëherë, të thuash nuk është e vërtetë dhe të mos tregosh dokumente, do të thotë të vazhdosh të gënjesh, do të thotë të vazhdosh vjedhjen. Nuk njoh unë hajdut që të jetë kapur në vjedhje dhe të thotë “është e vërtetë”. Gjëja e parë që thonë, kur kapen duke vjedhur thonë që “nuk është e vërtetë”. Problemi më i madh është qeveria na tha para 4 javësh apo 6 javësh, kur ne e ngritëm çështjen e përgatitjes për pandeminë, që i kemi marrë të gjitha masat. Ja pra ku rezultoi se masat nuk ishin marrë. Qeveria fliste me gjuhë të ndryshme. Na thuhej se po të duhej bëheshin 2 mijë testime në ditë, pastaj dilte që kapacitetet tona testuese ishin 200 në ditë. Dilte që stoku i kiteve të testimit ishte edhe më i ulët. Pra prej fillimit kemi të bëjmë me monopolizim të të dhënave, me shtrembërim të të dhënave dhe në funksion të kësaj është dhe fakti që Shqipëria ka sot numrin më të ulët të testimeve, ndër më të ulëtat në Europë, qartësisht më të ulët se vendet fqinje. Nuk ka asnjë arsye tjetër që ne të jemi në nivel me testimet dy herë më pak se sa Maqedonia

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA