Në emisionin “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja ishin të ftuar ekonomisti Pano Soko dhe juristi Adiatik Lapaj.
Gjatë fjalës së tij juristi Lapaj u shpreh se ndryshimet e vendimeve nga qeveria në lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi, është paksa çoroditëse. Pasi çdo ditë po merren vendime dhe masa të ndryshme. Ndër të tjera Lapaj tha se për të është e pa shpjegueshme se si fasoneritë vijojnë të qëndrojnë të hapura, ndërkohë që gjykatat jo. Sipas tij ka gjykata, si ajo e Apelit Administrativ, që thuajse 80% të rasteve, çështjet i gjykon pa palë, të mos vijojë punën. Pra gjykimi bëhet në një dhomë këshillimi, mblidhen tre gjyqtarë dhe japin vendimin. Po ashtu sipas Lapaj, edhe gjykatat e specializuara për çështje të tjera duhet të nisin punën, por nga 12 çështje që mund të gjykoheshin në ditë, të reduktohen në 2 ose 3. Pra, hapjen e gjykatave juristi e shikon si diçka të nevojshme, pasi nëse vazhdojmë me këto ritme mund të krijohet një stok me çështje që duhet gjykuar dhe qytetarët duhet të presin dy deri në tre vite.
“Në pamje të parë për të gjithë ne që nuk jemi mjekë ka një paradoks. Ndoshta ata e dinë më mirë, por ajo që mua më shqetëson dhe besoj që këtu nuk ka nevojë për të qenë mjek për ta ndarë. Është fakti që kemi një arbitraritet në mënyrën e vendimmarrjeve. Vendimmarrje që merren sot për nesër, dy herë në ditë, ndryshim i fashave orare, ndryshim në mënyrën sesi merren lejet për të dalë me makina, ndryshim se si merren lejet për të dalë në këmbë. Pra kemi një çorodim të qytetarëve. Unë jam i ri dhe nuk e ndjek më ritmin. Jo çdo gjë që mendon natën në gjumë, drejtuesi politik i vendit, kryeministri, duhet përkthehet në një status në Facebook, dhe më pas të kthehet në një normë juridike. Është e kundërta, duhet të ndodhë që grupi i ekspertëve duhet të formulojë normat juridike, bazuar në vendimin e ekspertëve mjekësor dhe më pas mund të shpalosen dhe nga kryeministri. Në këtë kuptim unë shoh, për shembull, janë mbyllur gjykatat, ndërkohë që lejohen fasoneritë. Por ç’kuptim ka kjo? Gjykata e Apelit Administrativ në 80 % të çështjeve gjykon në dhomë këshillimi, e përcakton ligji, gjykon pa palë. Mblidhen tre gjyqtarë dhe gjykojnë. Përse nuk mund të mos vazhdonte puna në gjykatën administrative të apelit, për çështjet të cilat bëhen në dhomë këshillimi që të ulet stoku i çështjeve, sepse janë 12 mijë çështje stok aty dhe presin qytetarët nga dy tre vjet. Në Gjykatën e Tiranës, një gjyqtar gjykon mesatarisht 12 çështje në ditë. Përse të mos të ulet numri i çështjeve në 2 në ditë në 3 në ditë. Por puna të vazhdojë sipas masave standarde, për më shumë që ato janë institucione që mund të mbajnë këto masa. Konstatoj që qëllimi i qeverisë është vetëm një që të mos të ketë numër të lartë vdekjes dhe më pas të thotë që ne e fituam këtë betejë. Kjo është qëllimi i parë, por ka edhe qëllim të dytë. Ne nuk duhet ta bëjmë tokë të djegur çdo gjë, se mendon njëri kështu. Ne duhet ta ruajmë jetën patjetër, por sigurisht duhet të dëgjojmë ekspertët, t’i marrin ato vendimet”, u shpreh Lapaj.
Sakaq, ekonomisti Pano Soko, bëri një krahasim mes pandemisë më fatale, ajo e Gripit Spanjoll dhe Depresionit të Madh në vitet 29-30. Gjatë Gripit Spanjoll, Soko thotë se kanë humbur jetën 15 milionë njerëz, ndërsa në depresionin e madh kanë humbur jetën 100 milionë persona pasi u shoqërua më pas me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Pra, Sako e shikon të nevojshme që ekonomia të vijojë punën dhe lidhur me situatën të gjendet një rrugë e mesme. Në të kundërt, ekonomisti parashikon, krime dhe varfëri, si edhe 100 deri në 200 mijë persona të papunë.
“Nuk po kërkojmë një fitore ndaj koronavirusit si të Pirros. Nuk duam që të shkretojmë Shqipërinë, për të fituar kundër koronavirusit. Në momentin që bie zjarr në dhomë, në shtëpinë tënde, ti nuk hidhesh nga ballkoni, se çfarë kuptimi ka që shpëtove nga zjarri më pas. Ne nuk duhet të hidhemi nga ballkoni për të shpëtuar nga zjarri që na ka rënë në shtëpi. Jo. Duhet të gjejmë një rrugë të mesme. Edhe debati që ekziston sot, nuk është debat filozofik, është debat për jetë njerëzish. Në shekullin e 20 pandemia më e madhe botërore ka qenë ajo e gripit Spanjoll, ka vrarë 15 milionë njerëz. Kriza më e madhe ekonomike ajo e depresionit të madh në vitin 29-30, ka vrarë 100 milionë njerëz, sepse solli një luftë botërore. Pra këtu diskutimi është për jetë njerëzish. Njerëz të cilët në qoftë se nuk arrin të mbahen ekonomikisht do të fillojnë ose do të merren me krim. Me krim do të pjellë vrasje, jetë njerëzish që ikin, do të ketë varfëri. Po do të ndodhë një depresion. Sot kemi të parashikuara nga qeveria 400 milionë euro të munguara në buxhetin e shtetit, ç’ka do të thotë që sot ekonomisë planifikojmë që t’i mungojnë 1.5 miliardë dollar. Vendet e punës që preken nga mungesa e 1.5 miliardë dollarëve në ekonomi, pra nuk do të bëjnë tregti, do të mungojë qarkullim. Këto janë të mjaftueshëm për të krijuar një stok të papunësh, që variojnë nga 100 deri në 200 mijë veta, mbetën të papunë për shkak të këtyre 1.5 miliardë dollarëve të munguara në ekonomi, të cilat do të na krijojnë nesër një problem social. Ky është problem më i madh se si do të dalim nga kjo krizë”, tha ekonomisti.
Top Channel