Izolimi nga Covid-19/ Central Park në “pushtetin” e zogjve

20/04/2020 12:27

Nuk ka më lojëra në park, as karroca me kuaj dhe as turma turistësh.

Në vend të tyre, oshëtin kënga e zogjve, tek tuk dikush bën një shëtitje dhe gjithnjë e më shumë po vlerësohet bukuria e të famshmit Central Park gjatë izolimit të Nju Jorkut nga koronavirusi. Parku 340 hektarësh, hapësira urbane e gjelbër më e famshme në botë, normalisht gumëzhin nga aktivitetet e njerëzve, ndërsa dimri i lë vendin pranverës.

Por këtë vit, për shkak të Covid-19, është jeta e egër ajo që shpaloset më mahnitshëm se kurrë. “Gjithçka është e qetë, dëgjohet kënga e zogjve dhe era fryn ndryshe”, thotë një ish-balerin 66-vjeçar, Timori Foster ndërsa i bën shëtitje qenit të tij.

Më shumë se 40 milionë njerëz vizitojnë Central Parkun çdo vit. Por që nga mesi i marsit, kur nju jorkezët u urdhëruan të praktikonin distancimin social, ndërsa qyteti u bë epiqendra e koronavirusit në amerikë, parku është bërë një vend për një shëtitje të shpejtë, vetëm, dhe për tu rifreskuar pak se sa një vend për pikniqe dhe sporte të zhurmshme. Por, pamja më surreale, është spitali fushor i ngritur në një pjesë të parkut, në kufirin lindor të rij, për të trajtuar pacientët me koronavirus nga spitalet e afërta.

Virusi i ka marrë jetën më shumë se 12 mijë personave në shtetin e Nju Jorkut, nga më shumë se 223 mijë infektime të njohura. Epidemia koincidoi me lulëzimin e qershive në Central Park, si edhe me migrimin pranveror të zogjve. Të dyja këto, fenomene që ofrojnë jo pak spektakël.

Top Channel