Për të parën herë pas 6 javësh, Spanja lejon fëmijët të dalin jashtë!

19/04/2020 13:11

Fëmijët spanjollë janë mbajtur brenda në shtëpi që nga 14 marsi, nën masa të rrepta për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Tani kryeministri Pedro Sánchez synon ta lehtësojë këtë rregull në mënyrë që fëmijët të nisin të dalin në 27 prill me qëllimin të “marrin pak ajër të pastër”. Kryetarja e bashkisë së Barcelona, ​​Ada Colau, e cila ka dhe vetë fëmijë të vegjël, iu lut këtë javë qeverisë të lejojë daljen e të miturve.

Spanja ka parë më shumë se 20,000 vdekje që nga fillimi i pandemisë dhe pothuajse 200,000 raste të raportuara. Në një konferencë të transmetuar drejtpërdrejtë të shtunën Sánchez tha  se Spanja i ka lënë pas “momentet më ekstreme dhe se arriti ta frenonte sulmin brutal të pandemisë”.

Por ai shtoi se i ka kërkuar parlamentit të zgjasë gjendjen e alarmit në vend deri në 9 maj pasi arritjet e deritanishme sipas shefit të ekzekutivit ishin “ende të pamjaftueshme dhe mbi të gjitha të brishta” dhe nuk mund të rrezikohen nga “vendime të nxituara”.

 

Top Channel