Në Korenë e Jugut, zyrtarët e shëndetësisë po përpiqen të zgjidhin një mister: përse 163 persona që janë shëruar nga koronavirusi, kanë rezultuar sërish pozitiv. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kinë, ku disa pacientë koronavirusi kanë rezultuar pozitivë pasi ishin shëruar edhe pse në këtë vend, nuk ka shifra zyrtare. Kjo ngre pyetjen: a mund të riinfektohesh me koronavirus?
Në Korenë e Jugut, numri i rasteve që kanë rezultuar për së dyti pozitiv është i ulët. Nga 7829 personat që janë shëruar nga koronavirusi atje, 2.1 për qind kanë rezultuar sërish pozitivë. Nuk është e qartë ndërkohë se sa persona që janë shëruar janë testuar sërish. Por, pacientët që rirezultojnë pozitivë përbën një shqetësim në të gjithë botën, madje edhe në vende si Koreja e Jugut, ku autoritetet duket se e kanë vënë epideminë nën kontroll. Zyrtarët koreano jugor sidoqoftë thonë se deri më tani, nuk ka prova se pacientët që ri-rezultojnë pozitivë, janë infektues, edhe pse rreth 44 për qind e tyre kanë shfaqur simptoma të lehta.
Por, ata tërheqin vëmendjen se ka ende shumë gjëra të panjohura për virusin, përfshirë çështjen e imunitetit të fituar në mënyrë natyrale. Covid-19, është patogjeni më sfidues me të cilin ne jemi përballur dekadat e fundit – thonë ekspertët.
Është një armik shumë i vështirë dhe sfidues. Për momentin, shpjegimi më i mundshëm i faktit përse njerëzit po rezultojnë sërish pozitiv duket se është ai sipas të cilit, testi shfaq mbetjet e virusit. Autoritetet kanë hetuar tre raste nga e njëjta familje, ku pacientët kanë rezultuar pozitivë pas shërimit. Në secilin rast, shkencëtarët janë përpjekur të inkubojnë virusin por nuk kanë mundur ta bëjnë këtë, ç’ka i ka bërë të mendojnë se nuk ka prani të një virusi të gjallë. Teori të tjera që qarkullojnë janë ato të një gabimi të testit apo e riaktivizimit të virusit.
Top Channel