Plazhet e Floridas në SHBA, janë parë tejet të populluara, vetëm një ditë pasi qeveria vendosi që ato të rihapen, pasi për disa ditë ishin të mbyllura për shkak të COVID-19.
“Nëse për arsye të ndryshme, plazhet kthehen në burim për përhapjen e koronavirusit, ne mund të rikthejmë masat e mëparshme dhe t’i mbyllim sërish ato”, deklaroi kryetari i zonës”, Lenny Curry.
Vendimi për hapjet e plazheve në Florida erdhi pasi ditët e fundit atje, numri i personave të infektuar dhe viktimave nga koronavirusi kishte pësuar rënie. Ndërkohë që parashikohej që bregdeti të vizitohej vetëm nga banorët e zonës, raportohet se njerëz nga qytete të ndryshme, kanë udhëtuar qindra kilometra për të vizituar plazhet.
Në fotot e publikuara shihet qartë që qytetarët nuk kanë zbatuar masat e distancimit social dhe janë parë shumë pranë njëri-tjetrit. Sakaq, kujtojmë që SHBA, është kthyer në vatrën kryesore të koronavirusit në botë. Deri më tani janë raportuar 757,636 persona të infektuar, ndërsa 40,223 të tjerë kanë humbur jetën, shkruajnë mediat e huaja.
Top Channel