Aeroporti i Rinasit këtë të shtunë hapi “portat” për shqiptarët të cilët kanë mbetur jashtë kufijve për shkak të koronavirusit. Por ka edhe nga ata shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë në Itali dhe që kishin mbetur në vendin tonë. Edhe për ta është dhënë një zgjidhje dhe janë lejuar që të kthehen.

Në Rinas edhe pse në numër të paktë ka nga ata persona që kanë aplikuar dhe prerë biletën për tu kthyer drejt Italisë.

“Qe 5 mars kam ardhur. Kam qen i bllokuar, por u zgjidh sot që të shkojë. Kam dy kalamajtë atje dhe unë e gruaja që jemi këtu. Me rasti që nxori Rama dhe aplikuam për këtë punë. Na dhanë me bërë biletën këtu. “ tha një qytetar.

“Na kanë ikur të gjitha edhe bileta që kisha vajtje ardhje. Pata bërë me “e-mail” kërkesë por nuk u bë. Patjetër, atje mesa me kanë thënë nuk ka për tu karantaniuar por brenda në shtëpi po. Dy javë do jemi brenda. Të paktën këtë na kanë thënë. Këtu jam 30 e ca ditë i karantinuar. Atje fëmijët janë vetë në shtëpi. Është e vështirë patjetër.” tha z.Latifi.

Ndërkohë një qytetar tjetër ka thënë: Kam që në fillim të Marsit. Erdha për pushim dhe ngela të prindërit. 14 ditë në Rinim do të karantinohem. Frika është por duhet të kthehem në punë. Tani po paguaj për biletën.”

Ky proces do të vijojë sot dhe nesër dhe të gjithë ata persona të cilët do të rikthehen në atdhe janë të detyruara të karantinohen në një nga hotelet e Durrësit për 14 ditë.

Sipas ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sot do të kryhen udhëtimet Stamboll-Tiranë, më pas Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë. Ndërsa nesër në datën 19 prill, do të kryhen fluturimet Tiranë-Milano dhe Milano-Tiranë. Në ditët në vijim, janë parashikuar fluturime riatdhesimi edhe nga Bari, Frankfurit, Parisi dhe Londra.

Shtetasit të cilët dëshirojnë të kthehen, ashtu sikundër është bërë e ditur gjatë këtyre ditëve, duhet që më parë të bëjnë rezervimin e hotelit, të vendosura në dispozicion, ku do të karantinohen për 14 ditë pas mbërritjes në Shqipëri, së bashku me pagesën, dhe më pas të bëjnë rezervimin e biletës.

Top Channel