Shifrat e ulëta të raportuara sot nga institucionet shtetërore kanë ngritur optimizmin dhe të Akademisë së Shkencave, e cila me buletinin e saj të përditshëm thekson se tashmë se numri i të shëruarve është 55%.

”Dita e fundit shënjon disa tregues pozitivë për konfirmimin e fazës së daljes nga pandemia në Shqipëri. Me 9 raste të reja të sëmurësh nga Corona-virus-i gjatë 24 orëve të fundme dhe 19 të shëruar të rinj plus, rivendosen ritmet e pritshme pozitive. Kështu, numri i të shëruarve gjithsej shkon në 55 për qind, përkundrejt numrit të të sëmurëve faktikë, që është 40 për qind, çka përforcon tendencën e uljes së kurbës së të sëmurëve faktikë. Sinjal tjetër pozitiv është frenimi i vatrës së dytë, Shkodrës, pa të prekur të rinj gjatë ditës së djeshme”, thuhet në raportin e plotë të ASH-së.

Raporti i plotë

Në Shqipëri rivendosen ritmet e pritshme pozitive të daljes nga pandemia: numri i të shëruarve arrin në 55 për qind të të sëmurëve gjithsej

Në Kosovë, pas një jave ringritje, frenohet ritmi i përhapjes së pandemisë
Ulje në shifra absolute e numrit të të sëmurëve faktikë në shumë vende të kontinentit: listës i shtohen dhe Islanda, Kroacia, Danimarka, Finlanda; Italia dhe Spanja në prag të fillimit të uljes së kurbës

(Vlerësim i ekspertëve të E-group-it “Në ndjekje të pandemisë” të Akademisë së Shkencave për shkallën e përhapjes, kontrollit dhe zotërimit të pandemisë në Shqipëri, Europë dhe në shkallë botërore)

  1. Dita e fundit shenjon disa tregues pozitivë për konfirmimin e fazës së daljes nga pandemia në Shqipëri. Me 9 raste të reja të sëmurësh nga Corona-virus-i gjatë 24 orëve të fundme dhe 19 të shëruar të rinj plus, rivendosen ritmet e pritshme pozitive. Kështu, numri i të shëruarve gjithsej shkon në 55 për qind, përkundrejt numrit të të sëmurëve faktikë, që është 40 për qind, çka përforcon tendencën e uljes së kurbës së të sëmurëve faktikë. Sinjal tjetër pozitiv është frenimi i vatrës së dytë, Shkodrës, pa të prekur të rinj gjatë ditës së djeshme.
  2. Ulje të ritmit të shtimit të numrit të të prekurve të rinj pati gjatë ditës së djeshme në tërësi edhe në shkallë botërore dhe europiane. Në gjithë Botën treguesi i rritjes ditore ka qenë në nivelin 4 për qind, nga 4.55 që ishte një ditë më parë. Franca, Spanja, Italia dhe Gjermania patën një rritje nga 1.3 për qind deri në 3.2 për qind. Ky tregues pozitiv u shoqërua me shifra rekord të shëruarish: mbi 6.000 në Gjermani dhe rreth 2.500 në Itali. Me këta tregues Gjermania thellon ritmin e daljes nga pandemia, ndërsa Italia mbërrin në fillimin e uljes së kurbës. Listës së vendeve që gjenden tashmë në fazën e uljes së numrit të të sëmurëve faktikë, krahas Austrisë, Zvicrës, Gjermanisë dhe Shqipërisë, i shtohen dhe Islanda, Danimarka, Kroacia dhe Finlanda.
  3. Vendet e Lindjes, si Polonia, Rumania dhe Çekia; si dhe vendet e Ballkanit vazhdojnë të kenë përhapje të kufizuar të pandemisë, me tregues të ulët dhe ritme të kontrolluara përhapjeje, që variojnë nga nën 1 për qind në Greqi deri në 5.8 për qind në Poloni e Bullgari./Shqip/
  4. Në Kosovë, pas një jave ringritjeje, fatmirësisht u frenua ritmi i përhapjes së pandemisë. Gjatë pesë ditëve të fundit shtimi i numrit të të sëmurëve të rinj ditorë ishte me një ritëm 6.9 për qind në ditë, çka flet për një rritje të kontrolluar të shkallës së përhapjes së sëmundjes.
  5. Treguesi i vdekshmërisë shkaktuar nga pandemia në rajon mbetet nën 5 për qind. Në nivel botëror ky tregues ka arritur në 7 për qind, ndërsa për vendet e mëdha europiane dhe Britaninë e Madhe kalon mbi 10 për qind. Humbjet në jetë njerëzore gjatë ditës së djeshme vazhduan të ishin të larta, por pritet ulje e tyre. Edhe në Gjermani ky tregues është përkeqësuar, nga 2 për qind në 3 për qind, duke regjistruar numër të lartë të jetësh njerëzore të humbura gjatë tri ditëve të fundit.

 

Top Channel