Biznesi i mbyllur paguan taksa/ Tregtarët e Medresesë: Kemi humbje të mëdha

16/04/2020 12:21

Tek tregu industrial tek Medreseja punojnë mbi 1000 biznese të vogla, që kanë ulur qepenat që në 12 mars 2020.

Spartak Kovaçi ka gati 30 vjet që shet metrazhe në këtë treg. Sot ai po pret në bankë për të paguar Sigurimet Shoqërore, Tatimet në Burim dhe Rojen e Tregut për muajin mars.

“Unë i paguaj në rregull se kam frikën e gjobës dhe janë për t’u paguar. Sot do të paguaj rreth 160 mijë lekë në bankë detyrime. Përfitoj nga paketa e luftës 400 mijë lekë që jepet për gjithë periudhën sa do të zgjasë kjo situatë. Humbjet e mia janë të tilla. Unë paguaj detyrime në masën e 700 mijë lekëve për një muaj. Për dy muaj papunësi, i bie rreth 1 milion e gjysmë. Hiq 400 mijë lekëshin, unë jam me humbje 1 milion e 100 mijë lekë”.

“Punoj si rrobaqepës. Edhe unë jam klasifikuar për pagesën 400 mijë lekë, por nuk e di në e marr sot. Vetëm sot do paguaj në bankë rreth 150 mijë taksa. Qiraja e dyqanit mua më shkon 120 mijë lekë muaji. Po ja paguaj se nuk t’i fal njeri, thjesht mund të shtyhen, por ki parasysh që edhe ai me atë pagesë ushqehet”.

Top Channel