Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, reagon Basha: I kërkova qeverisë mbështetjen për familjet në nevojë dhe bizneset

15/04/2020 22:16

TIRANË- “Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare detajova arsyet, nevojën dhe përfitimet që kanë qytetarët nga rritja e testimeve, si dhe i kërkova qeverisë mbështetjen për familjet në nevojë dhe bizneset në këto kohë të vështira.” ky është reagimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për sa i përket mbledhje se dytë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të organizuar sot online nga Presidenti Meta.

“Njerëzit duan garanci për jetën, shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Ky është angazhimi im dhe i opozitës. Gjithë energjitë dhe resurset e qeverisë duhet të shkojnë për të lehtësuar krizën dhe jo për sulme politike, sepse sot shqiptarët e papunë dhe në vështirësi ekonomike, kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme.” ka shtuar më tej Basha.

Në këtë mbledhje morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, ministrat përgjegjës, si edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale të pandemisë, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

Kryeministri Rama dhe ministrat përgjegjës informuan për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës.

Kryetari i Kuvendit Ruçi shprehu angazhimin për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë.

Kryetari i Partisë Demokratike Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA