Në studion e emisionit “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Erjona Rusi dhe Flori Gjini, ishte i ftuar me anë të një lidhje “Skype”, këngëtari i njohur Gena Lito.
Këngëtari tha se ndodhej në shtëpinë e tij në Sarandë, pasi ky qytet deri më tani nuk ka konfirmuar asnjë rast të prekur me koronavirus. Por i pëlqen dhe peizazhi i detit, që Genës i shërben për të hequr stresin. Këtë kohë vetë-izolimi këngëtari e shikon si një mundësi shumë të mirë për të qëndruar pranë familjes, pasi koncertet e shumta në çdo vend të botës, ia mohojnë shpesh një gjë të tillë.
Ndërkaq, Gena zbuloi se ka gati një projekt dhe së shpejti do ta linçoj. Bëhet fjalë për një këngë për “Korçën e tij të dashur”, siç e përkufizoi këngëtari e titulluar “Një mall për ty”, dhe që në fokus ka emigrantët dhe mallin e tyre për vendlindjen.
“Në Sarandë kemi shtëpinë dhe Saranda është një qytet që s’ka patur asnjë rast me Covid. Këtu është natyrë e mirë dhe kjo më heq stresin e ditës që po ndodhemi dhe besoj që është një stres që na ndodh të gjithëve. Unë kam shkuar në shumë vende të botës për koncerte, por këtë kohë kam mundësinë të rri me gruan dhe të diskutojmë për gjëra që s’kemi diskutuar më parë. Unë kam projekte të mbyllura në studio. Kënga që kam gati është “Një mall për ty” dhe ia kam dedikuar Korçës time të dashur. Është një këngë shumë e bukur për ata persona që kanë lënë vendlindjen dhe kanë mall për vendlindjen e tyre”, tha Gena.
Top Channel