Ndryshimet e Kodit Penal. Zbuten masat e dënimit për shkelësit e karantinës

14/04/2020 16:46

Komisioni Parlamentar i çështjeve ligjore mori në diskutim draft propozimin me ndryshimet në kodin penal të dy neneve ku parashikohen ndëshkime për shkelësit e karantinës në kohë epidemish.

Me propozim të deputetit Alket Hyseni masat e forta ndëshkuese propozuar fillimisht nga deputetja Edlira Bode pësuan zbutje.

Më poshtë drafti i votuar na këtë komision që do ti shkojë për votim kuvendit.

KREU VIII, SEKSIONI III – VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE

Neni 293/dh

Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë  epidemisë ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhërat, vendimet e nxjerra nga organet shtetërore gjatë epidemisë ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të ndryshme nga të parashikuara nga paragrafi i dytë i këtij neni, kur është dhënë më parë masë administrative, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin, vetëkarantinim ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës, vetëkarantinimi ose izolimit nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.

Neni 293/e

Përhapja e sëmundjeve infektive

Moszbatimi apo kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhrat apo vendimet e organeve shtetërore që kanë të bëjnë me parandalimin apo luftimin e sëmundjeve infektive, kur ka shkaktuar përhapjen e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin te njerëzit, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

Kur kjo vepër, ka shkaktuar vdekjen e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Top Channel