Kjo e hënë është dita e parë me fashën e re të orarit që i lejon të gjithë qytetarët të kryejnë pazaret e tyre deri në orën 17:30.
Ky orar padyshim i ndihmon të kenë mjaftueshëm kohë të kryejnë blerjet e nevojshme por mbi të gjitha le të pyesim së bashku tregtarët se sa i ndihmon orari i tej zgjatur për të shitur mallrat e tyre.
“Na ndihmon të dyja palëve që shesim dhe blerësit duke qenë se kanë kohë mjaftueshëm për të kryer të gjitha blerjet e nevojshme. Masat janë të domosdoshme”.
Me kalimin e kohës qytetarët po mësohen dhe me ndihmën e policisë bashkiake, janë bërë më të ndërgjegjshëm.
“Mua nuk më ndikon orari i ri sepse mua më nevojiten 2 orë që të iki në fshat kështu që në orën 13:00 unë e mbyll tezgën time megjithatë rregullat në treg po zbatohen dhe policia ka bërë detyrën e vet”.
“Pa dyshim që orari i ri na ndihmon shumë tani, kemi kohë të bëjmë pazar dhe për vete duke qenë se më parë nxitonim vetëm që të shisnim”.
Ashtu siç treguan vetë tregarët, policia dhe forcat e armatosura kanë ndihmuar jo pak në rregullimin që duhet të kenë tregjet. Orari i ri i lejon dhe qytetarët të kryejnë pazarin me qetësisht dhe gjithashtu duhet pranuar se pas 5 javëve të Covid-19, BE-Shqipëri janë më të kujdesshëm duke përdorur maska e doreza dhe duke ruajtur distancën 1 metër nga njëri tjetri.
Top Channel