Sipas institutit të studimeve të hoteleri-turizmit në Greqi një në dy hotele mund të falimentojë për shkak të situatës së krijuar prej Covid-19 e cila ka sjellë anulime masive të prenotimeve.
Sipas këtij instituti, rrezikohen më shumë se 45.000 vende pune, ndërsa numri i të pa punëve dyfishohet por të llogariten edhe dhomat dhe banesat me qira, të cilat administratohen prej vetë pronarëve të tyre.
Ndërsa nëse këtij numri i shtohen edhe aktivitetet e tjera të lidhura me sektorin, si zyrat turistike, shoferët e autobusëve, shërbimet e pastrimit ose ato të furnizimit me ushqime, dëmet janë ekstremisht të mëdha, thonë ekspertët e këtij instituti.
Qeveria ka njoftuar se hotelet dhe strukturat e dhomave me qira do të qëndrojnë të mbyllur deri në datën 27 prill, por është pothuajse e sigurt se ku afat do të zgjatet deri në 15 maj, periudhë në të cilën besohet se do të hapet kufiri me vendet fqinjë, dhe do të lejohen fluturimet nga dhe drejt Greqisë.
Ngërçi më i madh për sektorin është kthimi i paradhënieve të marra prej klientëve të cilat në përgjithësi janë investuar në infrastrukturën e hoteleve, ndërsa çdo vonesë në hapje duket se rëndon me miliona euro në ditë këtë sektor.
Sipas llogaritjeve nevojat emergjente për këtë sektor llogariten në 1.75 miliardë euro, shifër e llogaritur deri në datën 27 prill, por nëse kriza do të vazhdojë edhe në maj do të duhen më shumë se 2.2 miliardë.
Llogaritet se dëmi që hoteleria do të pësojë për vitin 2020 të jetë rreth 4.6 miliardë euro, ndërsa qeveria ka njoftuar se po përgatit masa të forta mbështetëse për këtë sektor.
Qeveria ka pezulluar pagesën e sigurimeve për të gjithë stafin e hoteleve, futjen e punonjësve në pagesën e ndihmës prej 800 euro, anulimin e kësteve të të gjithë kredive që ky sektor ka deri në muajin shtator të këtij viti, masë e cila pritet të vazhdojë deri në pranverën e vitit 2021.
Sipas qeverisë, mbështetja për sektorin e turizmit do të jetë më shumë se 2 miliardë euro për tejkalimin e krizës, por kjo paketë do të përshtatet sipas situatës thonë burme qeveritare.
Nga turizmi, Greqia arketon fitime neto rreth 16 miliardë euro në vit.
Top Channel