Thyen karantinën për të luajtur futboll në pyllin e Sodës, ndëshkohen 10 “lojtarët”! E pëson edhe një polic

12/04/2020 13:44

VLORË- Karantinohen për 14 ditë, të 10 personat që u kapën duke luajtur futboll, të cilët do të mbahen nën mbikëqyrje nga ana e Policisë.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullohet nga detyra Shefi i Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Komisar R. P., njëri nga pjesëmarrësit që luante futboll.

Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimi disiplinor për shkelje të rëndë, si dhe u bë pezullimi nga detyra i punonjësit të Policisë G. F., për mospërmbushje apo dështim në përmbushjen e detyrave ose përgjegjësive të caktuara, pasi konstatoi personat dhe nuk mori masë administrative ndaj këtyre shtetasve.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe apelon edhe njëherë për qëndrim në banesë dhe respektim të masave kufizuese, duke bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Top Channel