Papa Francesku, i kërkoi njerëzve të mos bien pre e frikës për koronavirusin duke u kërkuar atyre të jenë lajmëtarë të jetës në një kohë vdekjesh.
Lideri i kishës katolike romane, foli në meshën e tij të vigjiljes së pashkës, mbrëmjen e të shtunës, në bazilikën e Shën Pjetrit, thuajse të zbrazët.
Pjesëtarë të komunitetit katolik të botës, prej 1.3 miliardë besimtarësh, mundën ta ndiqnin meshën online.
Masat e izolimit janë ende në fuqi në I\talinë e goditur rëndë nga pandemia. Kryeministri Giuseppe Conte ndërkohë, lëvdoi papën për gjestin e tij të përgjegjshmërisë pasi shënoi pashkët pa ceremoni masive.
Në fakt, të krishterët në të gjithë botën po e festojnë pashkën, datën më të rëndësishme në kalendarin Kristian, si asnjëherë tjetër. Masat e kufizimit për shkak të koronavirusit të ri kanë detyruar qindra e miliona njerëz të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Shumë priftërinj i kryen meshat në kisha pa besimtarë.
Papa Francesku, kujtoi rrëfimin biblik të gruas që gjeti të zbrazët varrin e Jezu Krishtit në ditën që të krishterët besojnë se ai u ngrit nga vdekja. “Edhe atëherë kishte frikë për të ardhmen dhe gjithçka që duhej rindërtuar. Një kujtim i dhimbshëm, një shpresë e ndërprerë. Për ta, ashtu si për ne, ishte një orë e errët”, tha Papa. “Mos kini frikë; mos u dorëzoni para saj. Ky është mesazh shprese që na drejtohet edhe ne sot”, shtoi ai.
Mesha e tij, normalisht mbahet në praninë e mijëra besimtarëve, por në ceremoni merrnin pjesë vetëm pak persona. Edhe disa rite tradicionale po ashtu janë evituar, përfshirë pagëzimin dhe konvertimet.
Top Channel