Rustu Reçber është një nga yjet e futbollit që u prek nga koronavirusi, madje luftoi fort për ta kaluar këtë virus famëkeq. Gjendja e ish-portierit të kombëtares turke por edhe Barcelonës, Fenerbahçes dhe Besiktasit është stabilizuar madje tashmë Rustu ndodhet në fazën e shërimit të plotë, por para disa ditësh ai përjetoi momente frike dhe ankthi pasi gjëndja e tij u përkeqësua shumë siç tregon vetë Rustu në një intervistë.
“Unë po rikuperohem ngadalë, gjendja ime shëndetësore përmirësohet çdo ditë. Trupi im është dobësuar pak sepse duhej të përballoja një trajtim të rëndë, por unë jam drejt shërimit dhe falënderoj vetëm Zotin. Tani do të më duhet të qëndroj në karantinë në shtëpi për rreth 15 ditë të tjera.Në ditën e parë pata vetëm një dhimbje fyti të lehtë, në të dytën pata ethe, por nuk tejkalova 37.5 gradë.
Kisha humbur oreksin, aromën dhe shijen, përveç që gjithmonë kisha një kollë të çuditshme. Më duhet të pranoj, që në fillim e kam nënvlerësuar atë gjë sepse mendova se ishte një grip i thjeshtë.Kisha vazhdimisht ethe dhe pas një javë kisha shumë temperaturë.
Pas 48 orësh të tjera pa u ulur temperatura e trupit tim, me të vërtetë fillova të shqetësohesha dhe me këshillën e mjekut, shkova në spital. Pas testeve rezultova se kisha pneumoni dhe isha pozitiv me koronavirus. Kam kaluar një periudhë shumë të vështirë, ishte një nga ndeshjet më të vështira të jetës sime, por më e keqja mbaroi dhe më në fund u ktheva në shtëpi”, përfundoi Rustu Reçber.
Top Channel