U plagos aksidentalisht gjatë kapjes së Orges Bilbilit, Lleshaj viziton qytetaren në spital: I kërkuam ndjesë

10/04/2020 18:42

TIRANË- Gjatë ditës së sotme gjatë aksionit të policisë për kapjen e vrasësit Orges Bilbilit, u plagos në këmbë edhe një qytetare e rastësishme me inicialet M.P.

Kjo e fundit është vizituar nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i cili ka kërkuar ndjesë dhe i ka dhuruar një buqetë me lule.

“Një kombinim rrethanash solli, që gjatë një përplasje të rrezikshme mes Policisë së Shtetit dhe një personi me shumë rekorde kriminale, ku u përdorën armët e zjarrit, të arrihej të neutralizohej në gjendje të plagosur dhe të arrestohej një ndër personat më të kërkuar në vend.

Fatkeqësisht gjatë përplasjes mbeti e plagosur një kalimtare e rastit. Për t’i shprehur solidaritetin dhe për t’i kërkuar ndjesë qytetares së plagosur, bashkë me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe asaj të Tiranës, bëmë një vizitë në spitalin ku është shtruar qytetarja e plagosur, e cila është nën kujdesin e plotë të mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, me respekt takova edhe punonjësit e skuadrës “Shqiponja”, të cilët sot dëshmuan ato cilësi që të gjithë kërkojmë tek Policia jonë: zgjuarsi, vigjilence, pëgjegjësi, profesionalizëm dhe trimëri. Pavarësisht pandemisë, Policia nuk e humbet fokusin tek detyrat e saj bazë” tha Lleshaj.

Në Tiranë, në rrugën ” Sitki Çiço”, në afërsi të një shkolle, punonjësi i Policisë së forcës së posaçme “Shqiponjat”, i ka kërkuar një shtetasi lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit.

Shtetasi Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes.

Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë.

Punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Orgest Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.

Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë.

Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë.

Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit.

Nga verifikimet e bëra rezulton se shtetasi Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës.

Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”.

Aktualisht ky shtetas është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tirane, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes.

Policia e Shtetit i uron shërim të shpejtë shtetases M. P. dhe garanton opinion publik se është e vendosur të përballet me cilindo që shkel ligjin e aq më tepër guxon të godasë punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të vijojnë të zbatojnë rregullat dhe t’i binden urdhrit të punonjësit të Policisë, duke kontribuuar të gjithë së bashku për parandalimin e përhapjes së COVID-19 , si dhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët.

Top Channel