Më shumë se 1.5 milionë raste të koronavirusit të ri janë regjistruar në të gjithë botën.
Nga 1,524,833 infektime, 88,965 njerëz kanë humbur jetën në 192 vendet dhe territoret që kur epidemia u shfaq së pari në Kinë, vitin e kaluar. Shifrat, e prezantuara nga AFP, bazuar në informacionet kombëtare dhe organizata botërore e shëndetësisë, me gjasë reflekton vetëm një fraksion të numrit aktual të infektimeve. Shumë vende po testojnë vetëm rastet më serioze.
SHBA, ku pandemia është përhapur shumë shpejt ka regjistruar 435,160 raste, përfshirë 14,797 viktima. Bilanci më i fundit ditor, nga SHBA, ngjasonte me një buletin lufte. Në 24 orët e shkuara u raportuan 1973 viktima me numrin total që shkon në afro 15 mijë.
Vetëm në Nju Jork janë regjistruar të mërkurën 779 viktima. Spanja renditet e dyta me 148,220 raste dhe 14,792 viktima dhe Italia e treta, me 139,422 infektime dhe 17,669 viktima. Evropa mbetet kontinenti më i goditur me 772592 raste dhe 61118 viktima. Rritje të rasteve të koronavirusit ka regjistruar edhe gjermania, me 113,296 e po ashtu edhe Franca, me 112,950 raste. Dhe kina, vendi ku edhe nisi pandemia, të paktën për sa i takon shifrave, renditet pas tyre. Ndërkohë që shifrat tregojnë edhe se janë mbi 330 mijë të shëruarit në të gjithë botën.
Në Britaninë e Madhe ndërkohë, regjistrohet një tjetër rekord viktimash, 938 në 24 orë. Edhe në Spanjë numri është rritur sërish, 757 në një ditë të vetme. Pavarësisht kësaj, vendi iberik po përgatitet për një hapje graduale. E ndërsa Evropa mban peshën më të rëndë, drejtori rajonal i OBSH, Hans Kluge, lëshon një paralajmërim.
“Rruga që duhet ndjekur është akoma e gjatë dhe progreset e deri tanishme janë jashtëzakonisht të brishta. Pra, nuk është momenti për të zbutur masat kufizuese. E me këtë paralajmërim në mendje, komisioni evropian ka vendosur që të shtyjë mbylljen e kufijve të jashtëm deri më 15 maj.
Por OBSH është e shqetësuar edhe për Afrikën. Numri i rasteve në kontinent ka shkuar në mbi 10 mijë, dhe ai i viktimave në më shumë se 500. Por ndërsa virusi e ka arritur me vonesë Afrikën, krahasuar me pjesë të tjera të botës, infektimet janë rritur frikshëm javët e fundit dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Sipas OBSH, Covid 19 ka potencialin jo vetëm të shkaktojë mijëra të vdekur në Afrikë, por edhe të sjellë shkatërrim ekonomik dhe social.
Top Channel