Spanja thuajse po e kalon më të keqen e koronavirusit, tha kryeministri i vendit ndërsa parlamenti debatoi për shtyrjen e gjendjes kombëtare të emergjencës.

“Zjarri ka filluar të vihet nën kontroll”, tha Pedro Sanchez para deputetëve në Madrid duke shtuar se vendi do të arrinte fitoren e plotë përballë virusit. Spanja, ka shifrën më të lartë në Evropë të rasteve të konfirmuara, 152466. Deri të enjten, vendi ka raportuar 15238 viktima. Sanchez ndërkohë është lideri më i fundit evropian që sugjeron se situata mund të jetë duke u stabilizuar.

Një numër vendesh të tjera po marrin tani në konsideratë zbutjen e masave kufizuese duke filluar nga java e ardhshme në mesin e shqetësimeve në rritje për pasojat ekonomike të izolimit.

Sipas të dhënave të 24 orëve të kaluara, Spanja ka regjistruar 683 viktima, një rënie nga 757 të raportuara të mërkurën. Sidoqoftë vendi ka numrin e dytë më të madh të rasteve në botë, pas shteteve të bashkuara. Deputetët po diskutojnë nëse duhet të zgjatet gjendja e emergjencës në vend deri më 26 prill, duke i mbajtur njerëzit në shtëpi kështu edhe për dy javë të tjera.

Dhe me shumë gjasë, kjo do të ndodhë. Spanja ka ndërmarrë disa nga masat më strikte në Evropë dhe Sanchez ka thënë se kjo ka ndihmuar në zbutjen drastike të epidemisë. Sidoqoftë, ajo që vendet e ndryshme në kontinent po bëjnë, është ecja graduale drejt zbutjes së masave. Në Austri dhe Republikën Çeke, dyqanet e vogla, jo të domosdoshme do të hapen javën e ardhshme. Në Danimarkë, shkollat dhe kopshtet do të rihapen më 15 prill dhe në Norvegji më 20 prill. Edhe në gjermani, ministri i shëndetësisë, Jens Spahn, ka sugjeruar se duhet të ketë një kthim gradual në normalitet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA