![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2024/06/5adacea0-3201-11ef-90be-b75b34b0bbb2_sd-800x450.jpg)
“Izraeli, përdor situatën e jashtëzakonshme globale të luftës kundër koronavirusit, për të zgjeruar njësitë e vendbanimeve në tokat palestineze”, thuhet në deklaratën e Ligës Arabe.
Në një deklaratë me shkrim nga Liga Arabe njoftohet se sekretari i përgjithshëm Ahmed Abul Gheit, zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Saeb Erekat. Biseda dypalëshe u përqendrua mbi shfrytëzimin e pandemisë nga Izraeli sinjë mundësi për të aneksuar territoret e pushtuara palestineze.
“Izraeli, përdor situatën e jashtëzakonshme me përmasa globale në luftën kundër koronavirusit, për të zgjeruar njësitë e vendbanimeve dhe kryesisht për të imponuar një situatë ‘de facto’ kryesisht në Kudsin (Jeruzalemin) Lindor dhe përreth tij”, thuhet në deklaratën e Ligës Arabe.
Ndër të tjera në deklaratë bëhet e ditur se përpjekja e Izraelit për të zbatuar planin e aneksimit të territoreve palestineze nën okupim nënkupton “lojë me zjarrin” dhe “trazimin e situatës” në një kohë kur e gjithë bota energjinë e saj duhet ta përqendrojë në luftën kundër pandemisë. Të hënën lideri i aleancës izraelite “Kaltër dhe Bardhë” Benny Gantz dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ranë dakord për aneksimin në muajin korrik të Luginës së Jordanit dhe Bregut Perëndimor, si pjesë e negociatave për “qeverinë e unitetit” e cila pritet të formohet në vend.
Top Channel