Kryetarja e qytetit të Heanor-it në Derbyshire ka kërkuar falje pas deklaratës së saj, ku shprehej se kryeministri britanik, Boris Johson e meritonte prekjen nga koronavirusi.
“Më falni, por ai e meriton plotësisht këtë dhe është një ndër kryeministrat më të këqij që kemi pasur ndonjëherë”, shkroi Sheila Oakes në një koment në “Facebook”.
Pas kritikave të shumta që reagimi i saj shkaktoi në rrjetin social, kryetarja kërkoi falje dhe u shpreh se komenti ishte i gabuar
“Nuk mendoja se ato që thashë do të mërzisnin kaq shumë njerëz. Ajo që thashë ishte diçka jo e këndshme për t’u thënë. Jam e shqetësuar për infermierët dhe mjekët që nuk kanë pajisje mbrojtëse . Thashë diçka sepse isha e zemëruar pa menduar për kryeministrin ose familjen e tij”, u shpreh ajo.
Drejtuesi i grupit të Punës në Amber Valley, Chris Emmas-Williams, tha për mediat se do të kishte një hetim mbi sjelljen e Oakes.
“Kjo sjellje është plotësisht e papranueshme dhe nuk është ajo për të cilën është krijuar Partia e Punës. Nuk e kam bërë unë atë koment, por si udhëheqës i grupit të Punës, dua t’i kërkoj falje edhe Boris Johnson dhe familjes së tij dhe i urojmë shërim të shpejtë, sepse ne kemi nevojë për të gjithë për të luftuar këtë sëmundje”.
Johnson u shtrua në spitalin e “St Thomas” në Londër të dielën, 10 ditë pasi u testua pozitivisht me virusin. Ai u zhvendos në kujdes intensiv në orën 19:00 të së hënës, pasi gjendja e tij u përkeqësuan.
Top Channel