Në emisionin “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Flori Gjini dhe Erjona Rusi, ishte i ftuar me anë të një lidhjeje në “Skype” mjeku Genc Kapexhiu.

Genc Kapexhiu prej vitesh jeton në Itali dhe është mjek në Urgjencën San Donato të Milanos. Mjeku, konfirmoi që numri i të infektuarve, viktimave dhe personave të shtuar nëpër spitale, po pësojnë rënie dhe kjo i bën që të mendojnë pozitivisht. Kapexhiu tha se çelësi i suksesit për Italinë, janë masat shtrënguese që mori qeveria dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të qëndruar në shtëpi. Po ashtu, ai shtoi se edhe shtimi i kapaciteteve dhe pajisjeve mjekësre, bëri që shumë pacientë të shtrohen nëpër spitale, që në fillimin e shfaqjes së simptomave dhe si rrjedhojë rikuperimi i tyre u përshpejtua.

“Më në fund po shohim një dritë të vogël në fund të tunelit. Po ulet numri i të infektuarve, i vdekjeve, por edhe ajo e të shtruarve nëpër sitale. Të gjithë ato gjërat që janë ndjekur që në fillim në 31 janar, kur u shpall pandemia në Itali. Na bënë që më në fund të shohim një dritë të vogël, por që mund të jetë më e madhe. Vetëizolimi i pacientëve në shtëpi, marrja e masave janë apo nuk janë të sëmurë duhet të marrin masat e higjenës, kjo ka dhënë efektet e saj. Ne përdorim mjekime vetëm nëse vërtetohen nga studime shëndetësore. Italia u ndodh përballë mungesës së shtretërve dhe respiratorëve. Me shtimin e kapaciteteve, pacientët trajtoheshin që në fillim dhe ne mundeshim që t’i rikuperonim. Gjëja kryesore është që të qëndrojmë sa më shumë në shtëpi. Sa më shumë të rrimë në shtëpi, aq më shumë ruhemi nga sëmundja. Në radhë të dytë të mos ngarkojmë spitale, të shkojmë nëpër spitale vetëm nëse kemi probleme respiratore. Rajoni i Lombardisë dhe Piemontes kanë qenë më të goditurat nga koronavirusi. E vërtetë, impakti është i vështirë. Në qoftë se kolegu nesër në mëngjes nuk vjen, unë do të vijoj turnin. Ana emocionale, është e vërtetë, jemi larg familjeve dhe e vuajmë. Ne jemi në karantinë, nuk i takojmë familjarët”, tha mjeku.

Top Channel