Top Talk: Prodhuesit vendas ndezin sirenat e papunësisë. S’marrim kredi për pagat duam bisedime

06/04/2020 19:02

Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishin të ftuar me anë të lidhjeve “Skype” përfaqësuesja e kompanisë “Doniana” Donika Mici dhe administratori i kompanisë “Kital SH.P.K” Skëder Pashai.

Donika Mici, u shpreh se kompania e saj nuk do t’i paguaj punëtorët për muajin mars, pasi aktiviteti i saj është i mbyllur. Por ajo pret “lëvizjen” e qeverisë dhe negociatat me ta për të mundësuar përmbushjen e këtyre pagave.

“Jo akoma sepse paguhen pas datës 15-20 të prillit. Është paguar vetëm shkurti, marsi ende jo. Marsi do të jetë për mua, të paktën si subjekt që e kam ndaluar totalisht prodhimin,  i vështirë. Do të shohim paketën që shteti po negocion dhe diskuton për sektorin tonë dhe në bazë të asaj ne do të veprojmë se si do të paguhen këta punëtorë, që kanë qenë në shtëpi më shumë se tre javë dhe si do ta marrin pagën e këtij muaji. Ne nuk kemi bërë shkurtime deri më tani. Duke pasur parasysh që ne kemi harxhuar jashtëzakonisht shumë para dhe impenjim të madh, për të pasur këtë fuqi punëtore të specializuar dhe deri më tani e kemi mbajtur me forcat tona, për të ruajtur bërthamën e punës tonë. Por në qoftë se kjo punë do të zgjasë, natyrisht që ne nuk do të arrijmë dot të mbajmë asgjë mbi kurriz dhe do të jemi të detyruar më pas të bëjmë shkurtime sipas sektorit. Megjithatë, duke qenë se jemi subjekte sociale ne e kemi shumë të vështirë që të pushojmë njerëz nga puna. Në gjithë jetën kemi qenë në këto 30 vite, ata që kemi ulur varfërinë ose kemi stabilizuar ekonominë e njerëzve në nevojë. Kështu që për ne kjo është shumë e vështirë sot”, u shpreh Donika Mici.

Nga krahu tjetër, Skënder Pashai, u shpreh se gjatë kësaj periudhe kanë punuar me kapacitet punëtorësh të reduktuar. Për këtë pakicë, që është paraqitur në punë ai tha se do të paguhen, të paktën deri sa kompania të jetë e hapur.

“Ne jemi në proces, pasi ne paguajmë nga data 7 deri në datën 10.  Për muajin mars do të paguajmë të gjithë punëtorët që janë paraqitur në punë, sepse ne e kemi vazhduar punën. Por ka dhe shumë punëtorë që nuk janë paraqitur nga frika, ata punëtorë për momentin nuk do të paguhen. Kurse për ata që janë paraqitur të gjithë do të vazhdojnë të paguhen dhe do të vazhdojmë t’i paguajmë deri sa të jemi në punë. Për më vonë më pas do të bëjmë një planifikim, si do të vazhdohet, si nuk do të vazhdohet. Që do të akordojmë kjo nuk diskutohet, as edhe me të gjithë bashkëpuntorët që kam unë. Por e shoh të vështirë vazhdimin e mbajtjes së hapur të ndërmarrjes. Shpresoj që të hapet sa më shpejt Perëndimi. Unë me thënë të drejtën kam shumë material që duhet të vazhdoj për sezonin që vjen. Por unë vendos dot dorë, pasi unë do të vendos dorë në momentin që porositësit do të më japin garanci që malli që do të bëj, do të më shitet”, u shpreh Pashai.

Ndërkaq, pyetjes së ngritur nga gazetari Denis Dyrnjaja se a kanë biseduar me qeverinë gjatë kësaj periudhe, sipërmarrësit ju përgjigjen kështu:

“Ne si Shoqatë e Bashkimit Prodhues kemi bërë 10 propozime që i janë drejtuar tre ministrave përkatës, që janë: Ahmetaj (Ministri për Rindërtimin), Shalsi(Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Denaj (Ministrja e Ekonomisë). Në këto pika është e parashikuar ndër të tjera një kontribut deri në 80 % e rrogës reale, nëse ndërmarrjet shkurtojnë vendet e punës, 80 % në qoftë se vazhdon puna, do të mbulohet nga shteti dhe 20 % nga punëdhënësit. Kjo të jetë të paktën për nëntë javët që janë javët më të vështira. Ne kemi nevojë për nëntë javë që të ndihmohemi, se çfarë do të ndodhë me ne. Deri më tani në dijeninë time, drejtuesit e shoqatës po kontaktojnë me të tre ministrat. Por akoma nuk ka një feedback (një reagim) nga kjo kërkesë pasi ata, ende po i studiojnë kërkesat tona”, u shpreh Pashai.

Ndërkohë, Donika Mici u shpreh se veç mbulimit të rrogës 80 % nga qeveria, ajo e shikon me vend dhe rimbursimin e TVSH-së dhe uljen e tarifës për energjinë elektrike. Po ashtu shtoi se në momentin që këto kërkesa do të shqyrtohen nga strukturat përkatëse, duhen të marrin pjesë edhe sipërmarrësit.

“Unë kam të njëjtat kërkesa që kanë bërë shoqatat, janë pak a shumë të njëjta kërkesa. Janë pagesat e rrogës deri në 80 %. Është rimbursimi i TVSH automatikisht. Janë shtyrjet e taksave dhe mundësisht ulja e energjisë elektrike. Por nuk është kjo pjesë që më shpëton. Është një paketë që duhet të studiohet dhe ne duhet të marrim pjesë në këto diskutime, me këtë grup që ka ngritur qeveria, për të diskutuar të gjitha problemet që ne kemi. Duke qenë se ne kemi kontakte me tregun e huaj, të parët që mbyllin qepenat janë dyqanet, të dytët jemi ne prodhuesit e dyqaneve. Ndryshon fakti me fastoneritë, pasi ata kanë një të tretë në mes që të gjithë përplasjen apo humbjen e pëson ai që u jep punë fastonistëve. Kurse, subjektet e mia e marrin drejtpërsëdrejti nga qepenat e dyqaneve”, u shpreh Mici.

Ndërsa përsa i përket propozimit të qeverisë për marrjen e kredive bankare, për të mbuluar pagat e punonjësve, Edona Mici e shikon si një mundësi por të përkohshme. Për të funksionuar për të ardhmen, thotë ajo, duhet dhe mbështetja financiare nga qeveria.

“Për mua kjo është një zgjidhje. Është një zgjidhje sepse kush nuk ka likuiditet do të gjejë një formë dhe një mënyrë. Por nuk është zgjidhje përfundimtare dhe ajo që duhet. Dakord, emergjencë është fuqia punëtore që këta njerëz të mbijetojnë. Por nuk  është emergjencë vetëm kjo. Emergjencë është gjithçka. Që ne të funksionojmë në të ardhmen na duhet një mbështetje nga qeveria financiare”, tha Edona Mici

Nga krahu tjetër, Skënder Pashai, marrjen “borxh” nga bankat nuk e shikon si një mundësi, pasi sipas tij, nëse do të kërkoj borxh për të paguar punëtorët dhe jo për të zgjeruar aktivitetin e tij, atëherë subjekti i tij do të “rrënohet”.

“Unë nuk do të marr pjesë në marrjen e fondeve nëpërmjet bankave, pasi për mua shkel rregullat e biznesit. Një biznes nuk mund të financohet për me dhënë rrogat e veta. Unë do të mundohem me i dhënë rrogat. Por nuk mund të marrë borxh për të marrë rrogat, pasi i bie që biznesi ka marrë fund. Në momentin që unë marr borxh, për të marrë rrogat, nuk do të kem oksigjen për vazhdimësinë e veprimtarisë time prodhuese, pasi më duhet të marr lëndë të parë, të paguaj dritat, qiranë. Imagjino të futen në një vorbull ku marr para edhe për të dhënë rrogat. Do të mundohem të përballoj deri sa të kem mundësi, por unë me parimin që kam, nuk marr kredi. Unë me thënë të drejtën kam marrë tre herë kredi, për të zhvilluar biznesin tim. Kam marrë njëherë 500 mijë euro. Kam marrë edhe 800 mijë euro, për të bërë kapanonin e parë dhe një herë tjetër 1.2 milionë euro për të bërë kapanonin e dytë. Do të thotë që unë kreditë e mia i marr për zhvillime veprimtarie, nuk i marr për të paguar punëtorët. Në momentin që unë do të marr kredi për të paguar punëtorët, do të thotë që veprimtaria ime ka marrë fund”, u shpreh Skënder Pashai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA