Mbi shtimin e rasteve me Covid-19 në Shkodër ka reaguar presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Në një postim të pak minutave më parë në Facebook, Meta shkruan:
“Nisur nga përkeqësimi i treguesve të përhapjes së pandemisë ? #COVID19 në Bashkinë dhe Qarkun e Shkodrës, zhvillova sot biseda telefonike me Prefektin e Qarkut, z.Çesk Millja dhe Kryetaren e Bashkisë, znj.Voltana Ademi.
U informova prej tyre për situatën dhe përpjekjet e autoriteteve vendore për të ndihmuar banorët e prekur dhe masat e marra për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Duke u shprehur solidaritetin dhe mbështetjen time për të gjithë banorët e Qarkut Shkodër të prekur nga ?#COVID19, të cilëve ju uroj shërim të shpejtë, theksova domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit të masave që duhen marrë për mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari.
Për situatën në Bashkinë dhe Qarkun e Shkodrës, zhvillova sot edhe një bisedë telefonike me ministren e Shëndetësisë, znj. Ogerta Manastirliu.
Theksova rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve dhe kufizimeve të bëra publike për shkak të pandemisë globale ?#COVID19.
Bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garanci kryesore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie.
Duke theksuar se shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë absolut, dhe se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë, i ftoj edhe njëherë të gjithë qytetarët, në veçanti të Qarkut Shkodër, të respektojnë me përpikmëri protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore. ??“
Top Channel