Silvia Bertuletti-it iu desh të telefononte furishëm në 11 ditë për të bindur një mjek që të vizitonte babanë e saj 78-vjeçar Alessandro, i cili kishte ethe dhe vështirësi në frymëmarrje.
Kur një mjek pranoi të shkonte në shtëpinë e saj afër Bergamos, në epiqendrën e shpërthimit të koronavirusit në veri të Italisë, mbrëmjen e 18 marsit, ishte shumë vonë.
Alessandro Bertuletti u cilësua i vdekur në orën 1:10 të mëngjesit, më 19 mars, 10 minuta para se të mbërrinte një ambulancë e thirrur orë më parë. Ilaçi i vetëm që i ishte këshilluar përmes telefonit, ishte një qetësues dhe një antibiotik me spektër të gjerë.
“Babai im u la të vdiste vetëm, në shtëpi, pa ndihmë,” tha Bertuletti, 48 vjeçe. “Ne thjesht jemi braktisur. Askush nuk e meriton një fund të tillë”.
Intervistat me familarët, mjekët dhe infermierët në rajonin e dëmtuar të Italisë në Lombardi tregojnë se përvoja e Bertuletti nuk është e pazakontë, që disa persona po vdesin në shtëpi pasi simptomat e tyre nuk mbahen nën kontroll dhe se konsultimet telefonike nuk janë gjithmonë të mjaftueshme.
Vetëm në provincën e Bergamos, sipas një studimi të kohëve të fundit të regjistrave të vdekjeve, numri i vërtetë i vdekjeve nga shpërthimi mund të jetë më shumë se dyfishi i numrit zyrtar të 2,060, që llogarit vetëm vdekjet në spital.
“Ajo që çoi në këtë situatë është se shumë mjekë të familjes nuk vizituan pacientët e tyre për javë të tëra. Dhe unë nuk mund t’i fajësoj ata, sepse kështu shpëtuan lëkurën e tyre“, tha Riccardo Munda, i cili po bën punën e dy mjekëve në Selvino dhe Nembro, dy qytete afër Bergamos.
Ai tha se shumë vdekje mund të shmangeshin nëse njerëzit në shtëpi do të merrnin ndihmë të shpejtë mjekësore, por mjekët nuk kanë masa të mjaftueshme për të mbrojtur veten nga infeksioni dhe dekurajohen të bëjnë vizita, përveçse nëse është tepër e nevojshme.
Top Channel