Covid-19/ Kriza e pandemisë dhe romët- Një grup i rrezikuar që po harrohet!

05/04/2020 10:49

Në Europën Qendrore dhe Juglindore jetojnë qindra mijëra romë në lagjet më të varfra të këtyre vendeve. Këtu po përgatitet katastrofa e Coronës. Por në vend që të ndihmojnë qeveritë angazhojnë policinë.

Të moshuarit dhe ata me sëmundje, mjekët dhe infermierët janë personat më të rrezikuar në krizën e Coronës. Por për një grup tjetër të madh e të rrezikuar gati nuk flitet në opinionin publik në Europë: Për miliona romë të varfër. Shumë prej tyre në Europën Qendrore e Juglindore ka rrezik të përballen me një katastrofë të rëndë humanitare e shëndetësore. Shumica e romëve jetojnë në kushte të mjerueshme pa mundësi higjienike. Nga ana tjetër ata nuk mund të ushtrojnë si më parë punët në të zezë që bënin, si mbledhjen e mbeturinave apo plastikës, tregtinë në rrugë me artikuj ushqimorë apo shitjen e luleve.

Organizatat e romëve ngrenë alarmin

Por jo vetëm kaq. Shumë romë krahas anticiganizmit mjaft të përhapur ndeshen në këto kohë të krizës së Coronës me një stigmatizim të veçantë. Disa vende si Sllovakia, Rumania, krahas kufizimeve të përgjithshëm, kanë marrë disa masa shtesë për zonat ku jetojnë romët. Në mënyre preventive ata futen në karantinë dhe izolohen me polici.

Organizatat e romëve në Europë janë të alarmuara. Këshilli Qendror i Romëve dhe Sinti shpreh shqetësimin, se „politikanët ekstremistë të djathtë dhe nacionalistë në Europën Qendrore dhe Juglindore e përdorin krizën e Coronës aktualisht, me qëllim që pozicionet e tyre raciste t‘i legjitimojnë e zbatojnë si veprime të qeverisë.” Edhe raportuesi për romët në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, eurodeputeti çek, František Kopřiva paralajmëron. „Në vend që të mbrojnë më shumë romët nga virusi Corona, si grup veçanërisht i rrezikuar, disa politikanë e ndezin vetë anticiganizmin.”

Shumë të rrezikuara janë lagjet e mjerimit

Në Europë jetojnë afër 10-12 milionë romë, ata janë pakica më e madhe e kontinentit. Gati gjysma e të gjithë romëve europiane jeton në shtatë vende europianoqendrore dhe juglindore: Çeki, Hungari, Rumani, Bullgari, Serbi, Maqedoni e Veriut. Aty gjenden edhe të ashtuquajturat lagje të mjerimit, si psh Lunik IX në kryeqytetin sllovakolindor, Kosiç, Stolipinovo në Plovdivin bullgar, Ferentari në kryeqytetin rumun, Bukuresht, apo Shuto Orizari në Shkup.

E përbashkëta e këtyre zonave është që njerëzit aty jetojnë me shumicë në hapësira të ngushta. Shumë familje, ku shpesh banojnë tre gjenerata bashkë, kanë vetëm një ose dy dhoma për të banuar. Përveç disa çezmave jashtë në rrugë, në këto zona nuk ka ujë të rrjedhshëm në shtëpi apo kanalizime. Këto janë kushte ideale për përhapjen e sëmundjes së shkaktuar nga Covid-19.

Megjithëse kushtet e jetesës janë të njohura, nuk ka asnjë përpjekje qendrore në krizën e Coronës për të ndaluar përhapjen e virusit. Željko Jovanović, që drejton programin e romëve të Open Society Foundation paralajmëron nga injorimi i mëtejshëm i romëve të varfër. „Deri më tani shumica e shoqërisë e ka injoruar gjendjen, që papunësia mes romëve dëmton të gjithë ekonominë dhe se sulmet raciste kundër romëve dëmtojnë demokracinë”, thotë ai për Deutsche Wellen. „Tani duhet të jetë e qartë, se mbrojtja e romëve ka pasoja të drejtpërdrejta e të menjëhershme për jo romët.”

Programet sociale të nevojshme

Në Sllovaki qeveria e ka identifikuar këtë problem. Kreu i qeverisë, Igor Matovič paralajmëroi për teste masive të romëve në 33 zona të tyre. Në fillim do testohen ata që janë kthyer nga vende të tjera. Këto teste kryhen nga mjekë të ushtrisë, të shoqëruar nga ushtarë. Sipas Matovič përdorimi i ushtrisë „nuk është demonstrim i forcës shtetërore”, bëhet fjalë përt sigurinë e romëve, Por i ngarkuari për romët i qeverisë së mëparshme që humbi zgjedhjet, ndërkohë i shkarkuar, Ábel Ravasz, i kritikon këto masa si stigmatizim të romëve. Përdorimi i ushtrisë i stigmatizon ata, në vend që t’u krijojë ndjesinë, se shteti është partner i tyre, thotë ai.

Në Rumani dhe Bullgari disa zona me romë janë izoluar me xhandarë dhe polici, për shka se shumë banorë janë kthyer nga vende të tjera këto kohë, dhe me gjasë kanë shkelur masivisht rregullat e karantinës. Përtej masave policore dhe praninë e ushtarëve, romët e varfër e të rrezikuar marrin vetëm në raste të veçanta ndihmë nga shteti. Si në Sllovaki, ku disa komuna në zonat ku banojnë romët, kanë vënë në dispozicion një qendër mobile të furnizimit me ujë të pijshëm. Apo në Rumani, në qytetin Kluzh javën e kaluar bashkia shpërndau paketa higjienike dhe artikuj ushqimorë për 300 familje për romët që jetojnë pranë një depoje plehrash.

Në Hungari, ku sidomos në lindje të vendit gjenden shumë lagje romësh, aktivisti i romëve dhe kryetar i parlamentit të romëve hungarezë, Aladár Horváth, ka kërkuar programe sociale për banorët e zonave të veçuara. Në një letër drejtuar qeverisë ai shkruan, se “në zonat e getoizuara banorët nuk kanë kursime, as reserva, aty nuk ka kujdes mjekësor dhe po rritet shqetësimi, se banorët nuk kanë më se ç’t’u japin për ushqim fëmijëve.” Një përgjigje për këtë ai ende nuk ka marrë./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA