Meta thirrje qytetarëve për të zbatuar karantinën, mesazh edhe qeverisë: Masat kufizuese duhet të jenë…

04/04/2020 14:15

Presidenti i vendit, Ilir Meta me anë të një reagimi për mediat u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat e karantinës në kuadër të frenimit të përhapjes së CoVid-19.

Ndërkohë Meta ka bërë edhe një mesazh për qeverinë ku thotë se që çdo akt i Këshillit të Ministrave që miratohet në këtë situatë, t’i nënshtrohet paraprakisht një vlerësimi sa më të thelluar, në proporcion me gjendjen që dikton domosdoshmërisht miratimin e tyre.

“Çdo masë e marrë duhet të jetë në përputhje me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar, dhe në harmoni me hierarkinë e normave në fuqi, në mënyrë që miratimi i masave kufizuese të mos rrezikojë krijimin e konflikteve të reja sociale dhe gjyqësore” thotë Meta.

Njoftimi i Presidentit Meta:

I ftoj të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale COVID-19, pasi kjo është në interesin tonë të përbashkët.

Në këtë mënyrë jo vetëm mbrojmë shëndetin tonë, por ndihmojmë njëkohësisht mjekët dhe personelin shëndetësor, që po sakrifikon dhe rrezikon për shëndetin e të gjithëve ne.

Ndërkohë, është me rëndësi që çdo akt i Këshillit të Ministrave që miratohet në këtë situatë, t’i nënshtrohet paraprakisht një vlerësimi sa më të thelluar, në proporcion me gjendjen që dikton domosdoshmërisht miratimin e tyre.

Çdo masë e marrë duhet të jetë në përputhje me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar, dhe në harmoni me hierarkinë e normave në fuqi, në mënyrë që miratimi i masave kufizuese të mos rrezikojë krijimin e konflikteve të reja sociale dhe gjyqësore.

Masat kufizuese duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të ligjeve në fuqi, por edhe t’i përgjigjen vetëm nevojës dhe urgjencës së përballimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shpallur nga Këshilli i Ministrave.

Bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garanci kryesore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie për të gjithë.

Top Channel