Suedezëve nuk u pëlqen të bien në sy. Ata madje kanë dhe shprehjen e tyre për këtë: ‘Jantelagen’, përgjigja skandinave për ‘Mos mendo se je më i mirë se të tjerët’.
Ndaj edhe kuptohet se përse reagimi i qeverisë atje ka ngjallur mjaft shqetësime. Ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, Suedia i ka ende të hapura shumicën e shkollave, bareve dhe restoranteve të saj.
Qeveria u ka kërkuar njerëzve që të punojnë nga shtëpia nëse është e mundur, dhe ata mbi 70 vjec janë udhëzuar të qëndrojnë brenda, ndërsa vizitat në shtëpitë e të moshuarve janë ndaluar. Por nuk ka asnjë direktivë zyrtare për izolim të plotë – edhe pse në këtë vend ka pasur më shumë se 4,000 raste të infeksionit dhe 180 vdekje.
E vetmja masë e marrë nga koalicioni i drejtuar prej social-demokratëve është mbyllja e universiteteve e kolegjeve, ndërsa në bare e restorante njerëzit shërbehen vetëm në tavolina dhe jo në banak. Po kështu janë ndaluar dhe grumbullimet publike. Fëmijët nën 16 vjeç vazhdojnë të shkojnë në shkollë.
Në letër, gjendja duket mirë: Suedia e raportoi rastin e parë në 11 mars, e në atë kohë, në Itali kishte 800 vdekje. Dhe jetët e humbura nga koronavirusi atje duken shumë më pak se Anglia apo Italia. Por kjo vetëm për momentin, thonë mediat britanike, sepse ndoshta e pashmangshmja thjesht po vonohet. Dhe me këtë reagim, autoritet suedeze vetëm po e shtyjnë, por nuk po e parandalojnë një shpërthim fatal të epidemisë.
Top Channel