E mërkura e 1 prillit shënoi fluturimin e fundit të Air Albania, duke e lënë tashmë bosh të gjithë hapësirën ajrore të Shqipërisë. Të gjitha fluturimet janë pezulluar për shkak të pandemisë botërore. Prej ditësh shumë linja ndërprenë fluturimet e tyre.

E vetmja linjë që mundi të ketë fluturime të pakta ishte “Air Albania” e kontraktuar nga Qeveria shqiptare për të riatdhesuar shqiptarët e mbetur në Evropë, kryesisht ata që kishin udhëtuar në Itali, Gjermani, Francë, apo vende të tjerë të Perëndimit për arsye pune, vizitash shëndetësore, apo turizmi.

Ndërkaq pati edhe një fluturim me studentët shqiptarë që studiojnë në Angli. Kështu, prej pasdites së të mërkurës, në Rinas gjithçka është stopuar, si asnjëherë më parë.

Sallat e pritjes janë bosh, ashtu edhe sportelet e Check-in. Të vetmit që duken në fotot e këtij shkrimi janë personeli i sigurisë, apo forcat e rendit, që detyra nuk i lejon ta braktisin aeroportin edhe në kohë pandemie.

Duhet thënë se fluturimet në Rinas nuk janë ndërprerë as në vitin e mbrapshtë 1997, ku Shqipëria hapi depot e armëve dhe për shkak të shembjes së firmave piramidale u përfshi në kaos./SHQIP/

 

FOTO GALERI
1/15

Top Channel