Parlamenti hungarez votoi një projektligj që i jep qeverisë kompetenca më të gjera për të zbatuar gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.
Qeveria tani mund të vendosë gjithçka me dekrete.
Ligji i ri, u mbështet nga 137 deputetë dhe 53 votuan kundër. Ligji nuk ka limite kohore dhe është kundërshtuar fort nga kritikët në Hungari por edhe nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Kryeministri Viktor Orban, një nacionalist dhe konservator, ka premtuar se do të përdorë fuqitë e jashtëzakonshme në mënyrë proporcionale dhe racionale. Lideri i partisë opozitare, Jobbik, Peter Jakab, tha se ligji e vendoste të gjithë demokracinë hungareze në karantinë. Më shumë se 100,000 njerëz kishin nënshkruar një peticion kundër ligjit. Sipas një sondazhi të agjencisë pro-qeveritare Nezopont, 90% e qytetarëve duan një zgjatje të ligjit të emergjencës, dhe 72% pajtohen që kodi penal të forcohet.
Por, partitë opozitare dhe grupet e të drejtave të njeriut, akuzojnë qeverinë për përfshirjen e disa masave ekstreme në ligj, për të cilat, siç thonë, asnjë parti opozitare në asnjë demokraci nuk do të mund të pajtohej kurrë. Këto masa përfshijnë dhënien e kompetencave speciale për qeverinë në një periudhë të pacaktuar, zvogëlimin e kontrollit demokratik dhe kërcënimin e gazetarëve me burgim. Në këtë kuptim, ata e shohin ligjin si një mashtrim politik nga qeveria.
Top Channel