Një infermier shqiptare në Itali, e quajtur Vojsava Nikolla ka shprehur emocionet e saj kur ka mësuar se një grup mjekësh nga Shqipëria kanë mbërritur në Itali për të ndihmuar në luftën kundër CoVid-19.
Mesazhin e zonjës Nikolla e ka shpërndarë edhe kryeministri Edi Rama në Facebook, ku ajo është së bashku me një ekip kolegësh.
Vojsava Nikoll punon si infermiere në Urgjencën e Spitalit të Feltre-s në Krahinën Veneto në Itali dhe është shprehur se u ndjeu emocione pa masë kur u infromuar mbi mjekët Shqiptarë që mbërritën në Bergamo.
“U emocionova jashtë mase sepse si unë ashtu edhe mijëra shqiptarë të tjerë kemi gjetur një mikpritje e mundësi për një jetë dinjitoze e ushtrim profesionaliteti të denjë! Italinë e kam atdheun tim të dytë (kam edhe nënshtetësinë italiane) por kur shoh që vijnë kolegë nga Shqipëria ndjehem tejet krenare dhe mendoj se ky është shpirti i Europës: solidaritet në nevojë!” shkruan ajo.
Mesazhi i plotë i infermieres:
Quhem Vojsava Nikolla!
Jam punonjëse Socio – Shëndetësore (infermiere e përgjithshme) dhe punoj në Urgjencën e Spitalit të Feltre-s në Krahinën Veneto në Itali! Kryej rolin e asistentes në sallën e pritjes së Urgjencës dhe njëkohësisht bëj përkthyesen dhe ndërmjetësuesen kulturore për pacientët me origjinë nga Shqipëria dhe Ballkani! Po ashtu asistoj edhe familjet e personave të sëmurë në rastet kur humbin një të afërm të tyre!
Situata e krijuar nga Covid-19 është, edhe sipas kolegëve të mi e sidomos mjekëve, e pakrahasueshme me asnjë emergjence qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore!
Nuk e fsheh se në ditët e para kur kishte të vdekurit e parë, pata një ndjesi frike! Por për fat e kalova shpejt dhe tani me masat e marra nga Qeveria e Rajonit, jam besimplotë se do ia dalim shpejt!
Masë e patjetërsueshme kundër virusit është izolimi në shtëpi pasi është tepër i përhapshëm si infektues! Kjo masë qëndron në themel të strategjisë kundër tij! Vura re se Shqipëria e mori mjaft shpejt këtë masë dhe kjo besoj se do ndihmojë në reduktimin e fluksit të pacientëve!
Mora vesh për ardhjen e një grupi mjekësh e infermierësh nga Atdheu ynë për të ndihmuar në një spital të Lombardisë! U emocionova jashtë mase sepse si unë ashtu edhe mijëra shqiptarë të tjerë kemi gjetur një mikpritje e mundësi për një jetë dinjitoze e ushtrim profesionaliteti të denjë! Italinë e kam atdheun tim të dytë (kam edhe nënshtetësinë italiane) por kur shoh që vijnë kolegë nga Shqipëria ndjehem tejet krenare dhe mendoj se ky është shpirti i Europës: solidaritet në nevojë!
Italia është sot në nevojë më shumë se kurrë! Kjo fisnikëri e shëndetësisë shqiptare nuk do harrohet! Sot vijnë nga Shqipëria, nesër mund të vijnë mjekë nga Italia në Shqipëri! Një armik global luftohet vetëm me solidaritet global!
Me Urimet më të përzemërta për ta mundur sa më parë këtë sëmundje!
Rrini në shtëpi që ne t’Ju ndihmojmë sa më shumë e më me pak stres!
SËBASHKU DO IA DALIM ??❤?
Top Channel