Tiranë- Hapet spitali i dytë COVID. Nga sot, spitali “Shefqet Ndroqi” është spitali i dytë COVID në vend. Spitali “Shefqet Ndroqi” ka pritur pacientin e parë, një ndërhyrje kirurgjikale tek një e re e prekur nga COVID-19, ndërsa pacientët e këtij spitali janë zhvendosur në spitalin e Elbasanit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë publik lajmin gjatë një komunikimi online.
“Kemi hapur edhe spitalin Covid 2, spitalin “Shefqet Ndroqi” i cili ka pritur pacientin e parë. Një rast suksesi i ekipit të kirurgjisë së këtij spitali, me mjekët kirurgë, anestezistë, infermierët dhe i gjithë stafi që kanë kryer me sukses ndërhyrjen kirurgjikale tek një e re e prekur nga COVID-19”, bëri të ditur Manastirliu.
Manastirliu bëri të ditur se pacientët e spitalit “Shefqet Ndroqi” janë transferuar në Elbasan, duke shtuar se në spitalin COVID 2, janë organizuar ekipet mjekësore që do të shërbejnë në këtë spital, ndërsa në spitalin infektiv po vijon trajtimi i pacientëve me covid-19.
Ministrja e Shëndetësisë tha se kjo situatë do të kalohet duke respektuar të gjithë Paktin e Madh për Shëndetin.
“Ne do të vazhdojmë t’ju shërbejmë me përkushtimin dhe sakrificën e mjekëve, infermierëve, epidemiologëve tanë të mrekullueshëm. Ne do të vazhdojmë t’ju mbajmë të informuar me korrektësi dhe transparencë maksimale çdo ditë, çdo orë, për çdo zhvillim. Ndërsa JU, ju do të vazhdoni të zbatoni rigorozisht masat e higjenës dhe të distancimit social, si i vetmi mjet për të ndërmuar njëri-tjetrin në kët betejë të përbashkë”, tha Manastirliu
Aktualisht në Shqipëri janë 212 raste të konfirmuara pozitivë me COVID-19, dhe janë kryer 1436 teste në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.
Top Channel