Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar presidentin e kontestuar të Venezuelës, Nicolas Maduro dhe zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë për vepra penale që lidhen me trafikim të drogës. Ky hap, që do të rrisë tensionet në mes të të dyja kombeve, është bërë i ditur nga Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr.
Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë ofruar 15 milionë dollarë shpërblim për të gjithë ata që ofrojnë informacione që mund të kontribuojnë në arrestimin e Maduros. Maduro është akuzuar për kohë të gjatë për udhëheqje të një regjimi brutal, ndonëse ai ka kundërshtuar vazhdimisht një gjë të tillë.
Uashingtoni përkrah liderin e opozitës, Juan Guaidó, i cili vitin e kaluar e ka shpallur veten president të përkohshëm. Sikurse Maduron, Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar edhe katër zyrtarë të lartë të Venezuelës, duke përfshirë shefin për drejtësi të këtij shteti.
“Populli i Venezuelës meriton një qeveri transparente, të përgjegjshme dhe përfaqësuese, që u shërben nevojave të njerëzve dhe që nuk përfshohet në trafikim illegal të narkotikëve”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit përmes një deklarate. “Këta individë kanë shkelur besimin publik duke lehtësuar procesin e bartjes së narkotikëve nga Venezuela, duke përfshirë kontrollin nëpër aeroplane që largohen nga baza ajrore e Venezuelës”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Top Channel