Putin kërkon heqjen e sanksioneve në Samitin e G20-ës

27/03/2020 04:39

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka propozuar Grupit të 20 vendeve më të industrializuara, përmes një video konference, që të ngrihen sanksionet, ashtu që shtetet të luftojnë më mirë pandeminë me koronavorus, që ka infektuar më shumë se 500,000 persona në gjithë botën, dhe ka lënë të vdekur rreth 23,000 të tjerë.

Putin u ka thënë liderëve të vendeve të këtij grupi më 26 mars që masat kufizuese të vëna në mallrat e disa shteteve, duhet të largohen “për të lehtësuar dërgesat e ilaçeve, ushqimit, pajisjeve të ndryshme dhe teknologjisë”. Rusia përballet aktualisht me një varg sanksionesh të vëna nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera, për shkak të rolit të saj mbi Ukrainën.

Ky shtet ka dënuar edhe sankisionet amerikane kundër Iranit, prej kur Uashingtoni është larguar më 2018 nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore. “Është në pyetje jeta e njeriut, çështje tërsisht e pastër njerëzore”, ka thënë ai. Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar ndihmë Iranit për të luftuar virusin, që tashmë ka prekur 29,406 persona në këtë shtet dhe ka lënë 2,234 tjerë të vdekur.

Megjithatë Uashingtoni nuk ka treguar gatishmëri për të hequr sanksionet apo për të ndalur fushatën “me presion maksimal” ndaj Teheranit. Zyrtarët iranianë kanë refuzuar ofertën humanitare të Uashingtonit duke bërë thirrje për heqje të sanksioneve. Rusia në anën tjetër deri më tani ka raportuar për 840 persona të infektuar me koronavirus dhe 3 raste të vdekjeve, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA