Ndërsa bota lufton me koronavirusin, mungesat e dezinfektuesve po bëhen gjithnjë e më problem. Kjo po bën që disa kompani si një distileri e vogël në Folls Çërç të Virxhinias të gjejnë mënyra krijuese për të ndihmuar. Korrespondenti Ozlem Tinaz i Zërit të Amerikës vizitoi objektin dhe përgatiti këtë raport. Dezinfektuesi i duarve është një nga gjërat që amerikanët kanë blerë më së shumti që nga shpërthimi i koronavirusit, dhe që ka lënë bosh shumë rafte dyqanesh të produktit.
Për të përmbushur kërkesën disa sipërmarrës po bëjnë dezinfektues me përmbajtje të lartë alkooli. Falls Church Distillery është një nga këto biznese. I njohur për prodhimin e tij të uiskit, FC Distillery po merret tani me prodhimin e dezinfektuesve të duarve. “E kemi kthyer fabrikën për prodhimin e dezinfektantëve për duart. Është i njëjti lloj procesi që kemi përdorur për uiskin; alkooli është baza që ne përdorim për të bërë shumë nga produktet tona të tjera”, thotë Michael Paluzzi, themelues i kompanisë.
Por prodhimi varet nga qasja tek lënda e parë. “Tani, ne jemi duke prodhuar rreth 1 mijë litra dezinfektues. Mund ta bënim lehtë këtë çdo ditë nëse do të mund të merrnim furnizime. Ne mund të marrim furnizime vetëm çdo dy a tre ditë sepse nuk ka shumë kamionë që punojnë … “, thotë Michael Paluzzi. Punonjësit thonë se janë të kënaqur që po e ndryshojnë modelin e tyre të biznesit sepse ndihmon komunitetin dhe i mban ata të punësuar.
“Shkova në Amazon thjesht për të parë çfarë mund të blije dhe duket se njerëzit po blejnë gjithçka, kështu që është mirë të bëhesh një lloj ndihme për komunitetin dhe të kesh një punë. Në fakt, ndihem vërtet me fat tani”, thotë Kallie Stavros. Banorët e vlerësojnë këtë përpjekje. “Kjo është një ide e shkëlqyer që, mbush një boshllëk në treg dhe bizneset e vogla po punojnë së bashku për ta bërë këtë”, thotë Mattthew Quinn. Paluzzi thotë se është e rëndësishme të rrisësh moralin e njerëzve dhe të mos përfitosh nga frika e tyre duke rritur çmimet.
“Çmimi është i rëndësishëm për ne. Ishte shumë e rëndësishme të mos rrisnim çmimet. Njerëzit blejnë letër higjienike ose dezinfektues duarsh, dhe pastaj disa ngrejnë çmimet pa shkak. Kjo është pjesë e asaj që ne po luftojmë të mos ndodhë. Ne duam të plotësojmë kërkesat duke e mbajtur çmimin të arsyeshëm”, thotë Michael Paluzzi. Stavros thotë se kjo qasje e re mund të zgjasë më shumë nga sa pritet. “Kjo do të na mbajë të zënë për një farë kohe, jam i sigurt. Për sa kohë ka nevojë për dezinfektues duarsh, ka gjasa më shumë se për disa muaj; ne do të jemi këtu për të ndihmuar”, thotë Kallie Stavros.
“Të gjithë po përpiqemi të bëjmë sa mundemi. Të shohësh bizneset e vogla që ndihmojnë dhe që japin këto lloj shërbimesh është fantastike”, thotë Matthew Quinn. FC Distillery aktualisht shet një shishe dezinfektuesi prej rreth 4 litrash për 29 dollarë që sipas pronarit Paluzzi është sa gjysma e çmimit në treg. Kompania premton gjithashtu të japë gati 5 mijë shishe të vogla falas./VOA
Top Channel