Guardiola, Messi dhe Inter, ndihmë në luftën ndaj Covid-19

25/03/2020 13:22

Bota sportive vazhdon të japë kontributin e saj në luftën kundër coronavirusit.

Në këtë fushatë ndihme është përfshirë edhe Pep Guardiola me trajnerin e Manchester Cityt që dhuroi 1 milionë Euro për llogari të Fondacionit Angel Soler Daniel në Barcelonë që merret me blerjen e pajisjeve mjekësore gjatë periudhës së pandemisë Covid-19. Oferta e katalanasit është për blerjen e pajisjeve mbrojtëse si maska, syze, doreza, dezinfektante dhe respiratorë, përvec pajisjeve të tjera të nevojshme për të përballuar coronavirusin dhe materialet do të shpërndahen në të gjithë territorin katalanas.

Është përfshirë në këtë fushatë edhe Lionel Messi. Edhe kapiteni i Barcelonës dhuroi 1 milionë Euro,një pjesë për hospital Clinic dhe një pjesë tjetër për disa spitalet në Argjentinë. Përvec kësaj ditë më parë në rrjetet sociale, sulmuesi 32 vjecar u bëri apel ndjekësve të tij që të respektojne rregullat p[ër izolimin të vendosura nga qeveria. Po kështu, hyri në veprim edhe kapiteni i Realit të Madridit, Sergio Ramos. Mbrojtësi 33 vjecar dhe bashkëshortja e tij Pilar Rubio vendosën që të dhurojnë mbi 264 mijë maska, 1000 pajisje mbrojtëse dhe 15 mijë teste për zbulimin e coronavirusit. Një dhuratë kjo e rëndësishme e Sergio Ramos që ai do ta bëjë nëpërmjet UNICEF, organizatë për të cilën ai është edhe në rolin e ambasadorit.

Nuk mund të mund të mungonte në këtë fushatë as Interi. Klubi zikaltër bëri të ditur se ka mbledhur 658 mijë Euro nga fushata e tij me hashtagun #togetherasateam. Tifozët kanë mundur të bëjnë 3500 donacione me vlerë 108 mijë Euro, shifër së cilës i shtohen 500 mijë Euro të dhuruar nga vetë klubi e 50 mijë Euro nga Fondacioni Pupi i Javier Zanettit. Shifra prej 658 mijë Eurosh do t’i dhurohet Departamentit të Shkencave Biomjekësore dhe Klinikave në spitalin Luigi Sacco të Milanot për të financuar kërkimet për zhvillimin e vaksinës kundër coronavirusit.

Top Channel