Spanja po përballet me një krizë të paprecedentë dhe është bërë vendi i dytë në Evropë, pas Italisë, me numrin më të madh të të prekurve dhe viktimave nga koronavirusi.

Dhe në këtë situatë të rënduar, mediat spanjolle, po përballen me një kolaps të vërtetë për shkak të mungesës së reklamave, çka i ka detyruar të kërkojnë ndihmë në mënyrë që të mund të vazhdojnë të përcjellin informacione. Lexuesit e shtypit të shkruar, audiencat e radiove dhe televizioneve, kanë arritur kulmin në këto kohë, por ngadalësimi ekonomik po kërcënon vazhdimësinë e tyre.

“Kur gazetaria është më e nevojshme se kurrë, kur cilësia e informacionit është më e kërkuar se kurrë dhe kur shërbimi i saj në funksion të publikut është më i vlerësuar, situata e mediave bëhet e papërballueshme”, shkruan e përditshmja el pais. Organizatat e botuesve dhe radiot dhe televizionet private, kanë lëshuar një klithmë për ndihmë, sepse, pavarësisht pafundësisë së informacionit që ofrohet, reklamat kanë rënë rrezikshëm si rezultat i ngadalësimit ekonomik dhe masave të emergjencës të ndërmarra për të përballuar krizën. Dhe kjo, shkruan el pais, kërcënon ekzistencën e tyre, madje më shumë edhe se kriza e 2008-ës, dhe rrezikon humbjen e shumë vendeve të punës e madje edhe mbylljen e gazetave dhe stacioneve radio.

“Nëse asnjë ndihmë nuk do të jepet për mediat, atëherë do të ketë një tsunami dhe një tragjedi për demokracinë në vend”, thotë Fernando Yarza, president i shoqatës botërore të gazetave dhe botuesve. Kriza, siç shpjegon ai, nuk ka qenë asnjëherë më e rëndë se kaq”. Ndërsa presidenti i shoqatës së mediave informative, Antonio Fernandez Galiano, që mbledh gazetat kryesore në Spanjë, thotë se po përballen me diçka të paprecedentë; kolapsin e të ardhurave në kohën kur ka kapacitete më të pakta financiare se në çdo krizë të mëparshme. Nëse vazhdohet kështu, thotë ai, atëherë mbyllja do të jetë e pa evitueshme dhe informacioni do të dëmtohet rëndë. Si pasojë, i janë dërguar qeverisë spanjolle disa propozime dhe i kërkon asaj të hartojë një plan specifik që do të evitonte humbjen e shumë vendeve të punës dhe dëmtimin e informacionit, që është edhe një nga shtyllat kryesore të një demokracie.

Sipas shifrave, në ditët e para të izolimit në Spanjë, janë anuluar fushata reklamimi në masën 75 deri në 80 për qind. Për muajin prill, reduktimi sipas drejtuesve të mediave, do të shkojë në rreth 50 për qind. Ndërkohë që ka precedentë për plane publike në mbështetje të shtypit. Ka patur në Spanjë plane të tilla në vitet 1978, 1984 dhe 1991. Ndërsa më të freskët janë planet e vendeve si Franca apo Suedia në mbështetje të shtypit dhe medias.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA