Atalanta ishte duke bërë një sezon fantastik në Itali dhe në Europë deri para ndërprerjes së futbollit për shkak të përhapjes me shpejtësi të koronavirusit, ndërsa që prej asaj dite Bergamo është gjunjëzuar, duke u shndërruar në qytetin Italian më të prekur dhe me më shumë humbje jete.
Kapiteni i zikaltërve, Papu Gomez, në një intervistë të dhënë për argjentinasen “Ole” tregon se disa ditë më parë të gjithë e merrnin lehtë këtë situatë, ndërsa shton se pikërisht ndeshja me Valencian mund të ketë ndikuar edhe më shumë në përhapjen e virusit.
“Në fillim e merrnim të gjithë lehtë, pasi e mendonim si një virus normal, por pak më të ashpër se të tjerët. Kishte shumë mungesë informacioni, apo deklarata zhvlerësuese, deri në ditën kur u krijuan zonat e kuqe dhe filluan të tejmbusheshin spitalet. Mendoj se ndeshja me Valencian mund ta ketë rënduar edhe më shumë situatën, pasi në “San Siro” ishin 45 mijë bergamaskë, nga 120 mijë banorë që ka i gjithë qyteti. Mjafton të them se bashkëshortes time iu deshën 3 orë për të arritur në stadium, nga 40 minuta që do në kohë normale”, deklaroi Gomez.
Kundërshtari i bergamaskëve në Champions, Valencia ishte klubi i parë i La Ligas që konstatoi futbollistë të prekur nga COVID-19, ndërsa Gomez zbulon se në Spanjë e kishin marrë shumë lehtë historinë e virusit dhe shton se deri tani askush nga Atalanta nuk ka rezultuar i prekur.
“Kur ishim në Spanjë, gjithçka ishte normale dhe ata nuk e kishin marrë seriozisht gjithçka po ndodhte në Itali,. Ne luajtëm në një stadium të boshatisur, por në rrugët e Valencias jeta vijonte normalisht, ndaj sot Spanja është vendi i dytë më i prekur në Europë. Jemi njoftuar se disa lojtarë të Valencias kanë rezultuar pozitivë, por te Atalanta akoma nuk ka asnjë rast”, u shpreh argjentinasi.
Top Channel