Coronavirusi pati një efekt të menjëhershëm edhe një botën sportive, madje ndikimi ishte kaq i madh saqë detyroi të gjitha Federatat e disiplinave të ndryshme të ndërpresin evenimentet madje edhe stërvitjet e skuadrave.

Këtë efekt e ndjeu edhe sporti e sidomos futbolli në vendin tonë që nuk i shpëtoi këtij virusi vrastar. Në Kategorinë superiore ndeshjet e fundit u luajtën në 9 mars; skënderbeu-Kukësi e Vllaznia-Partizani, të dyja pa praninë e publikut, më pas erdhi edhe vendimi drastik i Federatës Shqiptare të futbollit për ndërprerjen e kampionatit.

Në Evropë, janë ndalur edhe kampionatet më të rëndësishme. Serie A e ndëmori këtë hap e para edhe pse u shoqërua me shumë polemika pasi përpara këtij vendimi ishin shtyrë edhe disa ndeshje të tjera. Më pas këtë vendim e morën edhe kampionatet në Spanjë, Francë, Gjermani dhe Angli si dhe në vende të tjera. Edhe UEFA u detyrua të dorëzohet përballë coronavirusit teksa ndërpreu Ligën e kampioneve dhe Europa League, por vendimin më të rëndësishëm, ajo mori në 17 mars kur vendosi shtyrjen e Evropianit të këtij viti për në 2021.

Një vendim ky që menjëherë u pasua nga ai i Confederatës Amerikano Latine të futbollit teksa shtyu për vitin e ardhshëm Copa America edhe ky një eveniment i parashikuar të mbahej këtë vit. Kaosi më i madh është krijuar në botën e motorsportit. Në Formula 1 u anulua në çastet e fundit gara e parë e Botërorit në Australi pas pozitivitetit me coronavirus të një anëtari të McLaren ndërkohë që janë shtyrë edhe garat e Bahreinit, Vietnamit, Holandës, Spanjës e Montecarlos duke bërë që të ngrihen pikëpyetje për fillimin e sezonit. Ndërsa në Botërorin e MotoGP u anulua gara e Katarit për Klasin MotoGP, ndërkohë që u shtynë Cmimet e Mëdha të Tajlandës, Austin dhe Argjentinës.

Ato që po rezistojnë për momentin janë Lojërat Olimpike. Edhe pse sportistë e Federata të ndryshme sportive në botë po e rrisin presionin për shtyrjen e këtij evenimenti, IOC e qeveria japoneze vazhdojnë të këmbëngulin për mbajtjen normale të tij.

Top Channel