Në luftë ndaj CoVid-19/ Lewandowski ofron 1 milion euro

22/03/2020 20:33

Bota tashmë ka hyrë në një luftë të vërtetë me virusin Covid -19 që ka marrë mijëra jetë njerëzish duke shkaktuar probleme të mëdha sidomos në sektorin e shëndetësisë. Sporti nuk rri aspak indiferent dhe solidorizohet me të gjithë personelin mjekësor në këtë luftë të ashpër kundër coronavirusit. Në Itali, Fiorentina, Roma apo Zlatan Ibrahimovic kanë nisur mbledhjen e fondeve për të ndihmuar mjekët dhe infermieret që janë në vijën e parë të kësaj  beteje, ndërkohë që ofertat nuk kanë munguar as nga Gjermania.

Përpara disa ditësh, Drejtori Teknik i përfaqësueses gjermane të Futbollit, Oliver Bierhoff komunikoi në media se kjo skuadër ka dhuruar 2.5 milionë Euro për të përballuar këtë krizë të rëndë që ka mbërthyer të gjithë botën. Këtyre nismave i është bashkuar edhe  Robert Lewandowski e bashkëshortja e tij, Ana.

Sulmuesi i Bayernit të Mynihut shfrytëzoi rrjetet sociale për të bërë të ditur se familja e tij do të dhurojë 1 milionë Euro për fondacionin e krijuar nga futbollistët e Bayernit të Mynihut ‘We kick Corona’ për të luftuar këtë sëmundje. pak ditë më parë një veprim të tillë e kishin bërë edhe dy lojtarë të tjerë të Bayernit, Goretzka dhe Kimmich teksa dhuruan po 1 milion Euro

‘Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për situatën e vështirë që na rrethon-shkruan në postimin e tij në Instagram, Robert Lewandowski-sot të gjithë luajmë si një ekip i vetëm. duhet të jemi të fortë dhe të bashkuar në këtë luftë. nëse kemi mundësi për të dhënë ndihmën tonë, le ta japim. Vendosëm të dhurojmë 1 milion Euro për të luftuar coronavirusin.

Top Channel