TIRANE- Forcat e Armatosura të Ushtrisë ditën e sotme kanë zbritur në terren për të vëzhguar situatën dhe për t’i ardhur në ndihmë policisë së shtetit në lidhje me zbatimin e urdhrave të ndalimit të qarkullimit për të gjithë qytetarët në kuadër të masave të ndërmarra kundër CoVid-19.

Në të gjithë vendin tonë qytetarët lejohen të lëvizin vetëm në dy fasha oraresh 6.00 – 10.00 dhe 16.00 – 18.00. Këto rregulla janë zbatuar por ka edhe nga ata qytetarë të pakujdesshëm dhe të pabindur që shkelin urdhrin dhe dalin në orare të ndaluara. Pikërisht për të disiplinuar këto qytetarët ushtria ka dalë në terren për t’i ardhur në ndihmë policisë.

Me një varg autoblindash, Forcat e Ushtrisë po futen në çdo lagje të Tiranës, dhe do të ndahen në 5 zona të ndryshme.

Për çdo qytetar që do të konstatohet se nuk respekton oraret dhe rregullat e vendosura, tashmë të bëra publike do të veprohet përmes masave administrative, pra gjobave.

Më herët Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka ka postuar disa foto të efektivëve me shkrimin: ”Të gjithë bashkë, ju dhe ne, në zbatimin e PADISKUTUESHËM të rregullave të vendosura për këto ditë të vështira.”

Ajo ka theksuar se ata kanë lënë në shtëpi familjet e tyre e po bëjnë të pamundurën për t’ju mbrojtur në mënyrën më të mirë që ata dine, disiplinimin.

Ministrja ka theksuar edhe disa këshilla në lidhje me situatën.

1.Ndiqni këshillat e specialistëve
2.Respektoni oraret
3.Mbani rradhën në supermarkete e banka
4.Ruani distancën 2 metër nga njëri – tjetri
5.Respektoni masat mbrojtëse në ambjentet publike
6.Qëndroni në shtëpi me familjet tuaja
Gjithashtu ka shprehur mirënjohje për cdo efektiv të FA e Policisë së Shtetit të cilët janë në krye të detyrës në këto ditë të vështira për të gjithë botën.

Presidenti Meta ka shpërndarë postimin e ministres duke shprehur mirënjohje të thellë dhe falenderim për çdo efektiv të Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit në krye të detyrës.

“Së bashku për të mbrojtur shëndetin e çdo qytetari”, ka shkruar Meta krahas postimit.

Top Channel